Kundërshtimi i Neveritshëm i Protestës

Sot (e shtunë) në Stockholm protestohet kundër Carl Bildt’it, ministrit të jashtëm suedez. Deri para pak ditësh, ai eshtë konsideruar si një figurë e shquar politike e cila do të mund të vendosej në ndonjë post të madh në BE, në një të ardhme të afërt. Ndoshta edhe pas protestes, që është e para e këtij lloji në Suedi d.m.th. protestë kundër një ministri, ende do të konsiderohet ashtu. Por një gjë është e qartë, në sytë e popullit suedez ai është bërë figurë e diskutueshme dhe si i tillë nuk e meriton më miratimin e tyre.

Rasti i Carl Bildt’it është shembull i mirë për Kosovën për dy arsye. Një, ai është pjesë e asaj qeverie që e ka njohur Kosovën dhe tash jep deklarta, dhe në njëfarë mënyre punon, në kundërshtim me parimet për një Kosovë sovrane pa ndikim nga Serbia. Kështu edhe për neve ai është tash figurë e diskutueshme politike. E dyta, që është më e rëndësishme, populli suedez me këtë rast na jep këshillë se si të sillemi ne me ata qe na qeverisin, perfshirë ketu edhe ndërkombëtarët.

Nga ky këndvështrim duhet të pyesim, pse del perfaqesuesi i BE’së me deklarata që bllokimi i rrugës nga qytetarët në shenjë proteste është dëmtim i të ardhmes europiane të Kosovës? Çfarë të ardhme? Përgjigja më e thjeshtë, amebeske, është sepse ai do që ta friksojë shumicën e popullit në menyrë që ta pranojnë status quon dhe populli të pajtohet me udhëheqës që nuk dinë të udheheqin. Por, ne e dimë se e ardhmja europiane nënkupton një vend demokratik ku populli vendos per fatin e vet. Atëherë, pse ndërkombëtarët kundërshtojnë iniciativa të tilla? Sepse, nëse ne nuk e kundërshtojmë qeverinë, gjithçka vazhdon mirë edhe për ndërkombëtarët. Rrogat i kanë maksimale në një Prishtinë që gjatë natës i ngjan çdo metropoli europian. Ku kënga e Gjurmeve, “Të gjitha rrugët të çojnë në Prishtinë”, i përshtatet më shumë ndërkombëtarëve se sa popullit, ku ata mbjellin e mbijnë, perveç se nuk jetojnë në periferi por në qender të qytetit, nuk bëjnë fëmijë sepse nuk duan t’i rrisin aty dhe në pergjithesi ja thonë për dashurinë me xhepa plot.

Mund të thotë dikush, po edhe ne po protestojmë, kështu që ku është dallimi mes neve dhe suedezve? Ne po protestojmë, por nganjëherë jo në mënyrën e duhur dhe jo në numër të duhur. Dallimi më i madh është se Carl Bildt po gjykohet si politikan i diskutueshëm nga populli i vet për mënyrën se si ai është sjellë në lidhje me dy gazetarë suedezë qe mbahen pafajsisht në burg në Etiopi, d.m.th. për dy qytetarë suedezë që trajtohen keq, shumica proteston. Ndërsa në Kosovë, shumica e popullit mbahen të ngujuar pa punë, pa të ardhme, nën kontroll dhe prapë vetem pakica proteston. Për më tepër, i lejojmë elitën politike, qoftë vendore ose ndërkombëtare, t’i quaj këta protestues paqesorë si radikalë. Sikur, në Suedi të ndërronte situata për të keq, sa njerëz do të dilnin në rrugë? Sikur në vendet e BE’se të cenohej liria e çdo qytetari, si do të reagonte populli? E marrim Amerikën si një tjetër shembull, ku kriza ekonomike ka ngritur popullin në protesta, të ashtuquajturat “Occupy Wall Street”. Edhe ne sikur ata, nuk duhet lejuar që të arrijmë në pikën ku shtetet e afrikës veriore mbërritën vitin e kaluar.

Niko Kazantzakis shpesh herë luan me konceptin se flijimi i njerëzimit është plehër i domosdoshëm që ushqen lirinë (përbërësin jetesor për demokraci), njëjtë sikur që plehrat naturale janë të domosdoshëm dhe rrisin lulet. Sipas ketij mendimi, edhe ne në Kosovë duhet të kishim lirinë. Lirinë e rritur, ku mund të protestojmë ndaj atyre që nuk dinë të na udhëheqin, ku mund ta shprehim pakënaqësinë tonë ndaj atyre që na kanosen. Por ne jemi flijuar shpesh dhe si duket liria nuk është rritë. Jemi flijuar por liria ka munguar. Ka munguar sepse e kemi kërkuar nga të tjerët. Ndërsa liria ekziston me çdonjerin. Liria është në duart e çdo njeriu, atë ja ka dhënë natyra bashkë me frymen e parë dhe nuk ka asgjë në botë që mund t’ja cënojë, as zonjat e zotrinjët nga sheshi Gjergj Kastrioti e as ata nga perëndimi.