Operacion Arrestimesh në Ministrinë e Shëndetësisë

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka prangosur në zyrat e punës katër zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, në një operacion të enjten në mesditë.

Të arrestuarit janë Ilir Tolaj, sekretar i Përhershëm; Bekim Fusha, shefi i sektorit të Farmaceutikës; Hajrullah Fejza, shef i divizionit për cilësi dhe Zenel Kuçi, shef i Prokurimit.

Arrestimet janë zhvilluar me urdhrin e një prokuroreje të EULEX’it, e cila ishte në vendin e ngjarjes. “Bëhet fjalë për një rast korrupsioni”, u tha ajo gazetarëve.

Prokurorja speciale, Maria Bamieh, në oborrin e MSH-së

 

“Më vjen keq që nuk mund të japë më shumë detaje”, tha prokurorja speciale e EULEX-it, Maria Bamieh.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës derisa po vazhdonin bastisjet, ka lëshuar një komunikatë, duke thënë se rreth orës 9 e 30 minuta, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka nisur bastisjen e disa zyrave në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas komunikatës, bëhet fjalë për hetime nën dyshime për korrupsion.
 
Para fillimit të bastisjes, sipas komunikatës, Policia ka njoftuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, për veprimet që do të ndërmerren.
 
 “Sikur edhe deri më tani, Ministria e Shëndetësisë mbështet çdo veprim të organeve të rendit e të ligjit dhe ka ofruar bashkëpunimin e plotë për organet e hetuesisë për zbardhjen e së vërtetës”.
 
Për detaje të tjera të arrestimit, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, ka thënë se mund t’i japin Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale. MSH ka paralajmëruar një konferencë shtypi për orën 15.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, vitin e kaluar ka raportuar për një tender që Ministria e Shëndetësisë, i kishte dhënë kompanisë “Almakos Group”, bashkëpronar i së cilës ka qenë Hajrullah Fejza.

Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, kanë pohuar se Tolaj dhe zyrtarët e tjerë, dyshohet se janë arrestuar, ndër të tjera, edhe për këtë tender.
 
Bëhej fjalë për një kontratë në vlerë prej rreth 10 mijë eurosh, me të cilën kompania do të furnizonte me material medicinal Ministrinë e Shëndetësisë.

Hajrullah Fejza, gjatë arrestimit

 

Tashmë i arrestuari Fejza, atë kohë kishte thënë se ka dhënë dorëheqje nga kompania fituese e tenderit, derisa ishte punësuar në Ministri të Shëndetësisë. I njëjti trend, kishte vazhduar edhe me një tender tjetër, bëjnë me dije burime mirë të informuara në MSH, pa thënë pa folur për detajet e tenderit të dytë.

Ndërkohë, duke shkuar në veturën e policisë, sekretari Ilir Tolaj u tha gazetarëve të pranishëm se ‘ky është një spektakël i ndihmuar nga mediat’. Kurse, Fejza, duarlidhur ka preferuar të buzëqesh para kamerave televizive.

Kurse, avokati mbrojtës i Tolajt, Bajram Tmava, tha se akoma nuk i di arsyet e arrestimit të klientit të tij.

Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit policor, Brahim Sadrijaj, është duke përgatitur një komunikatë, ku do të flasë për shkaqet e arrestimit të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.
 
Sekretari Ilir Tolaj, sikurse dhe zyrtari për cilësi, Hajrullah Fejza, është hera e dytë që arrestohen nga policia.

Fejza ishte arrestuar para disa vitesh me akuzën se kishte vjedhur një pajisje mjekësore në QKUK duke e përvetësuar atë, kurse Tolaj ishtë prangosur verën e vitit 2010 për shmangie tatimi.  
 
(Detaje të tjera rreth rastit do të mund ta lexoni, më vonë gjatë ditës, në Gazetën JnK)