Vet-fundosja e Shtetit

Paralajmërimet e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ se do të mbyllin rrugët që shpijnë për në Serbi më datën 14 janar kanë nxitur qysh tani tensione, duke marrë kritika prej qeverisë e heshtje prej opozitës. Përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë zotuar se do të mbyllin për qarkullim dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në Merdarë dhe tek Dheu i Bardhë deri atëherë kur Qeveria e Kosovës të fillojë të zbatojë vendimin e Kuvendit të Kosovës që të aplikohen masa reciprociteti me Serbinë. Qeveria në anën tjetër ka akuzuar Vetëvendosjen se po shkel ligjin dhe ka porositur se nuk do të tolerohet bllokimi i rrugës.

“Policia e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me forcën e ligjit – forcë kjo që buron nga Kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut”, thuhej në një komunikatë për shtyp lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, një javë para datës kur do të zhvillohet aksioni i Vetëvendosjes.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, më 11 janar 2012, Vetëvendosje është krahasuar me ekstremistët serbë që kanë bllokuar rrugët në pjesën veriore të Kosovës dhe lëvizja është quajtur me ironi “Vetëfundosje”.

Përmendja e bllokimit të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës në të vërtetë hedh dritë me sarkazëm në një hipokrizi të të dyja palëve. Vetëvendosje nuk do të bllokojë të gjitha rrugët që shpijnë në Serbi pasi nuk mund të depërtojë në pjesën veriore të Kosovës e t’i mbyllë edhe vend-kalimet kufitare atje. Ndërsa Qeveria e Kosovës, kur kërcënon se do të veprojë kundër bllokimit të rrugëve në Merdarë dhe në Dheu i Bardhë zbulon se sa e pafuqishme është që të kalojë në pjesën veriore të Kosovës dhe të veprojë kundër bllokimit të rrugëve që po zgjatë më shumë se gjashtë muaj.

Kjo thyerje shtizash mes Qeverisë dhe Vetëvendosjes ka filluar pasi Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar një mocion për aplikimin e masave reciproke politike e ekonomike ndaj Serbisë. Edhe pse Kushtetuta e Kosovës shumë qartë e thotë se Qeveria është e obliguar që të zbatojë vendimet e Kuvendit, Qeveria aktuale, e inkurajuar nga përfaqësues ndërkombëtarë në Prishtinë, po refuzon që të zbatojë këtë vendim të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje ka vënë 14 janarin 2012 si afat të fundit për Qeverinë që të zbatojë vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në të kundërtën, ajo është zotuar se do të veprojë vet që të mbyllë rrugët që shpijnë në Serbi dhe atë deri atëherë kur të zbatohet mocioni që në Kuvendin e Kosovës e kishte iniciuar Vetëvendosje.

Tensionet e shkaktuara nga këto zhvillime vijnë në një kohë kur në Kosovë gjakrat edhe ashtu janë të nxehtë. Eskalimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ka nxitur tensione në tërë Kosovën dhe jo vetëm në veri. Është angazhimi i përfaqësuesve politikë të të gjitha komuniteteve që ka penguar tensionimin e mëtutjeshëm të gjendjes. Një eskalim i dhunës në pjesët tjera të Kosovës do të shtonte tensionet dhe ndjenjën e pasigurisë ndër të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, të gjitha palët duhet të jenë të kujdesshme në veprimet e tyre dhe të mos i kontribuojnë destabilizimit të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje, e mllefosur me mos-zbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka mundur që protestën e vet ta mbajë para Qeverisë së Kosovës, sidomos nëse konsideron se aty është filli i problemit. Për më tepër, lëvizja Vetëvendosje do të duhej që të sqaronte më mirë se çfarë masa reciprociteti nuk po implementohen nga Qeveria e Kosovës pasi përfaqësues të Qeverisë këmbëngulin se me Serbinë ka pasur dhe ka reciprocitet. Një debat më i informuar ndoshta do të mobilizonte më shumë qytetarë që të kuptojnë thelbin e kësaj ndeshje mes Qeverisë e Vetëvendosjes dhe të bëjnë presion te njëra apo tjetra për të vepruar pa pasur nevojë për tensionim të situatës. Për më tepër, Vetëvendosje rrezikon të duket sikur nuk po di si të veprojë – a të veprojë brenda institucioneve apo jashtë institucioneve. Nëse ka pranuar që të jetë pjesë e strukturave të shtetit të Kosovës, luftimi i këtyre strukturave mund të shkaktojë paqartësi te vet votuesi i Vetëvendosjes që mund t’i kushtojë lëvizjes në zgjedhjet e ardhshme.

Qeveria në anën tjetër, para se të kritikojë të tjerët, duhet të shikojë nëse ajo vet prinë në zbatimin e ligjshmërisë në Kosovë dhe të dëshmojë se e kupton qartë se zbatimi i vendimeve të Kuvendit të Kosovës nuk ka alternativë.

Përfaqësues ndërkombëtarë në Prishtinë që e inkurajojnë Qeverinë që të mos dëgjojë Kuvendin janë duke aplikuar standarde të dyfishta pasi në Kosovë po promovojnë vlera që nuk do t’i toleronin në vendin e tyre. Për më tepër, nëse këta përfaqësues ndërkombëtarë janë në Kosovë që të përkrahin zhvillimin e shtetit të Kosovës, atëherë këta duhet të dinë – dhe e dinë – se me këto veprime po e kërcënojnë mu këtë synim, ndërtimin e shtetit. Reagimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë është edhe më i habitshëm kur kihet parasysh se Raporti i Progresit i Komisionit Europian rregullisht vëren se nuk ka mbikëqyrje të kënaqshme të Qeverisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe vazhdimisht kërkon që kjo të korrigjohet.

Demokracia e re në Kosovë për më shumë se çfarëdo tjetër ka nevojë për instalimin e praktikës së respektimit të ligjit dhe parimeve të demokracisë. Refuzimi që të respektohet ligji, e në këtë rast shkelja e aktit më të lartë të vendit, Kushtetutës së Kosovës, nga ana e Qeverisë më shumë se çdo gjë tjetër e fundos shtetin e Kosovës.