Çfarë Po Nxit Lulëzimin e Hosteleve në Prishtinë?

Data është 31 tetor. Jam në një aheng për Halloween në bodrum të “Buffalo Backpackers-it”, hostelit rinor në të cilin po qëndroj, me disa ndërprerje të shkurtra, që gati 11 muaj. 

“Pse vijnë njerëzit në Kosovë?”, pyet një mysafir i pamësuar më këtë.

I hedh një vështrim vendit përreth. Pothuajse të gjithë ne, sharrëxhinjtë, skeletonët dhe mumiet, jemi në mes të viteve tona të njëzeta dhe vijmë nga ato që mësuesja ime e gjeografisë i quante “vende ekonomikisht më të zhvilluara”. 

Pra, çfarë është ajo që mund t’i ketë joshur të gjithë këtu? Mysafiri i pamësuar sugjeron që janë telashet e Kosovës – të kaluarat dhe të tashmet.

Por këta njerëz në bodrum nuk janë të tillë që bëjnë plane të aventurave duke bërë kërkim të fjalës “mina tokësore” në WikiTravel (njerëz të tillë ekzistojnë së vërteti, janë më të këqij se që mund ta imagjinoni dhe kanë kaluar nëpër Prishtinë kohë pas kohe, fatkeqësisht).

Konflikti në Kosovë ishte lufta e parë për të cilën gjenerata jonë ishte vërtetë e vetëdijshme, lufta e parë për të cilën bisedonin fëmijët kur luanin së bashku. Ekziston një magjepsje (optimiste, jo morbide) për të parë se çfarë ka ndodhur me vendin që na mësoi fjalët si NATO dhe “bombardime strategjike”.

Natyrisht, kjo nuk është mënyra se si erdha këtu për herë të parë. Erdha sepse bileta e autobusit nga Tirana ishte 5 euro më e lirë se ajo për në Shkup. Një sondazh jozyrtar në verandën e “Buffalos” disa mbrëmje më parë pas një ahengu sugjeronte që ajo që kishte tërhequr shumicën e mysafirëve këtu ishte një përzierje e kureshtjes dhe fatit të shthurur.

Xheku, një anglez i dhënë pas librave në fund të njëzetave, më thotë, “Është fakti se është vend për të udhëtuar që tradicionalisht nuk është udhëtuar sa duhet. Kur filloni të eksploroni më shumë, vëreni se ka shumëçka që nuk kuptoni nën sipërfaqe. Por pastaj, sa më shumë që të dini, vëreni edhe më shumë se nuk kuptoni edhe aq dhe andaj dëshironi të dini edhe më shumë.”

Përkundër etjes së e tij të pangopur për të kuptuar, Xheku pothuajse me siguri do të jetë larguar tanimë në kohën kur ky artikull të botohet. 

Olivier, nga ana tjetër, vullnetar në “Buffalo” që vjen nga Pirinejet, me flokë në stil mohawk si të personazhit filmik, Mr. T, qëndroi edhe pas ahengut të Halloween-it dhe është këtu që disa muaj. 

Por ardhja e parë e tij në Prishtinë verën e kaluar ishte nxitur nga motive të tjera shumë më të thjeshta, jo nga kërshëria e tij kulturore;“Isha në Tiranë dhe një djalë nga Kosova më tha, ‘Është nata e fundit e Festivalit të Birrës dhe Verës në Prishtinë sonte. Nëse do të shkosh, duhet të shkosh sot’. Prandaj dhe erdha”. Këtë histori ma tregon me një buzëqeshje në fytyrë.

Sido që të arrijë një udhëtar me çantë shpine (backpacker)në Prishtinë rezultati përfundimtar është gjithmonë i njëjti; magjepsje. Dhe kjo është pikërisht ajo që e dëshirojnë pronarët e hosteleve të shumta që kanë lulëzuar në qytet.

Dren Ukmata, është bashkëpronar i “WhiteTree”, njërit nga hostelet e reja që i janë shtuar një koleksioni gjithnjë e më të madh të hosteleve në Prishtinë. 

Me një filxhan çaj në barin në oborr që përbën pjesën qendrore të biznesit të tij, ai shpjegon se hosteli është shumë më shumë se vetëm një sipërmarrje tregtare. Është mundësi për t’i zbukuruar hiret e zbehta të Prishtinës për vizitorët e huaj, të cilët ndryshe nuk do t’i shihnin. “Disa herë njerëzit më pyesin, ’Pse nuk largohesh nga Kosova?’ Unë qëndroj këtu, sepse tani mund t’ju them se kam kontribuar në imazhin e Kosovës!” thekson ai.

Duket se ekziston një magji e fshehtë në Prishtinë që i tërheq njerëzit. I hapur në qershor të vitit 2012, Hosteli “Hani” është një nga vendet më të vjetra të pushimit për udhëtuesit me çantë shpine në qytet.

Arben Zlloqka, njëri nga tre pronarët, beson se kjo magji gjendet te njerëzit e qytetit: “Nuk ka shumëçka për të parë këtu, por njerëzit janë të mirë”. Ai ma thotë këtë gjersa e tymosë një cigare në ballkonin e Hostelit “Hani” me pamje mbi Bulevardin “Nëna Terezë”.

Ndonëse Zlloqka dëshiron t’i drejtojë mendimet e tyre, ai megjithatë e pranon se paragjykimet e njerëzve ndaj Kosovës mund të jenë gjë e mirë për biznesin e tij, “Kur udhëtarëve me çanta shpine u thoni ‘mos shkoni atje’, ata shkojnë pikërisht atje”, buzëqesh ai.

Të gjithë pronarët e hostelëve me të cilët kam folur deri më tani ishin të rinj, ashtu sikurse edhe klientët e tyre: fëmijë që duan ta shëtisin botën, të kalojnë kohë të mirë dhe që nuk e kanë problem ta ndajnë dhomën e gjumit me shtatë të huaj. 

Por, prapa tregut të vjetër të qytetit, është Hosteli “Istabul” që drejtohet nga Sefa Jaha, njeri që i takon një brezi tjetër.

Hosteli “Istanbul” nuk ofron dhoma konvikti. AI në fakt i ngjan një hoteli të thjeshtë me kosto të ulët. Restoranti i tij ofron mëngjes, drekë dhe darkë, diçka që nuk kanë asnjëri nga kolegët e Jahës. Gjatë verës, ai është gjithashtu hosteli i vetëm në qytet që lavdërohet me pishinën e tij.

Nëse kolegët e tij besojnë se lulëzimi i hosteleve në Prishtinë është dukuri e re, Jaha e sheh këtë si pjesë të një tradite të vjetër. 

Ai më thotë “Ato kanë ekzistuar më parë. Nuk quheshin hostele, por ‘Hane’ dhe janë mbyllur kohë më parë. Por, e kemi vërejtur se ato janë të rëndësishme, se njerëzit kanë nevojë për to. Në Ballkan, njerëzit janë të varfër. Ata nuk dëshirojnë diçka të bukur, por thjesht të gjejnë një vend që të flenë, të ndjehen të sigurt dhe të kenë shërbim të mirë.“