Sjellim Meksikën pak më Afër

Prishtinën dhe Meksiko Sitin i ndajnë rreth 10,000 kilometra dhe kjo shihet veçanërisht kur flasim për ushqimin. Restorantet si Cavallero dhe Cantina AM/PM, në rastin më të mirë, ofronin përafrime të zbehta. Por për çdo njeri që ka provuar ushqim të vërtetë meksikan, këto restorante janë vetëm përkujtime të dhimbshme të të mirave që mungojnë.  

Megjithatë, një restorant tjetër i fshehur në periferi të qytetit, Mexicana, thuhej se ofronte në Kosovë kuzhinën më të ngjashme me atë të vërtetën. Fatmirësisht, Mexicana së fundi ka hapur një restorant në qendër të qytetit dhe si duket thashethemet ishin të vërteta.

Në një të hënë në mbrëmje, shoqëruesja ime dhe unë hymë në restorantin gati bosh të dekoruar me Sombrero kiçi. 

Kamerieri i vëmendshëm na solli Margarita (i provuam të bardhat klasike si dhe ato të portokallta me lëng Orangina). Margaritat ishin vërtetë freskuese dhe vinin me një unazë të lezetshme kripe dhe nuk ishin tepër të ëmbla. 

Gjithashtu, porositëm një pjatë unaza qepe si dhe patate të skuqura dhe guakamola, salcë dhe ajkë për fillim. Unazat e qepëve – ndonëse në të vërtetë nuk janë ushqim meksikan – ishin të preferuarat e shoqërueses sime të mbrëmjes e cila ishte vegjetariane dhe nuk mund të përmbahej dot nga shija e pasur e qepëve dhe salcës.

Patatet e skuqura dhe guakamola zbulonin dobësitë më të mëdha të restorantit Mexicana, që ishin mëlmesat dhe salcat. As guakamola e as salsa, dy gjëra që mund të përgatiten me mjaft lehtësi me përbërës që mund të gjenden në Prishtinë, nuk ishin të freskëta. Patatet e skuqura me gjasë ishin Doritos dhe jo patate tortilla, por tortillat e vërteta gjinden me vështirësi në këto pjesë.

Por, pjatat kryesore kompensuan për të gjitha ato që iu mungonin paragjellave. Unë porosita Encheladas Royas, mish i grirë me erëza dhe me fasule dhe oriz. Mishi ishte përplot aromë të mirë dhe fasulet kishin shije autentike meksikane. Shoqëruesja ime vegjetariane e darkës mori një pjatë të nxehtë fajita vegjetariane të vendosur në një skarë të bukur hekuri dhe asaj i pëlqeu tej mase. Specat dhe qepët ishin të pjekura me përpikëri në një salcë të lehtë që lejonte depërtimin e plotë të shijes së tyre, dhe që të dyjave na pëlqyen shumë tortillat e buta e të ngrohta. Një tjetër shoqërues i darkës ndante të njëjtin mendim për fajita-n  e tij të kombinuar me mish pule dhe viçi.  

Mexicana shkëlqen në përdorimin e saj të përbërësve të freskët, por mëlmesat dhe salcat ishin me ca të meta. Mendoj se kjo është për shkak të vështirësisë në gjetjen e përbërësve të duhur, ndërsa kuzhinieri duket se kishte nxjerrë më të mirën e asaj që është në dispozicion në vend.   

Menyja shquhej nga një larmi e gjerë specialitetesh meksikane, duke përfshirë supë nga fasulet e kuqe, empanada, pulë me salcë mole, chimichanga, tako, quesadillas, flautas dhe disa pjata të shtrenjta të ushqimit të detit. Gjithashtu, kishte edhe paragjella jomeksikane si sallatë Cezari me pulë, brinjë viçi  dhe “Biftek viçi Quentin Tarantino.”

Çmimi prej 39 euro për tre persona duket paska i lartë por porcionet ishin mjaft të mëdha dhe, pas paragjellave, një porosi fajita mjafton për të tre.