Hamam Jazz Bar-i Merr Çmimin e Parë

Lokali prishtinas Hamam Jazz Bar, i dizajnuar nga kompania arkitektonike 4M Group, ka marrë shpërblimin e parë për dizajn në kategorinë e bareve nga World Architecture News, të enjten, në ceremoninë e organizuar në Saatchi Galery të Londrës.

Lokali kishte hyrë në mesin e pesë më të mirëve në kategorinë e tij, ndërsa për të gjitha çmimet konkurruan mbi 1 mijë e 300 projekte arkitektonike nga 72 vende të botës.

World Architecture News, që nga Google prej vitit 2007 konsiderohet si portali numër një për grumbullim dhe shpërndarje të lajmeve për arkitekturën, me seli në Londër dhe shtrirje globale, vlerëson sidomos transformimin e hapësirave në ambiente të këndshme arkitektonike.

Këtë e ka bërë me Hamam Jazz Bar-in edhe kompania arkitektonike 4M Group, kur ka treguar në aplikacionin e konkurrimit se kanë ndërtuar lokalin nga një hapësirë e zbrazët zyreje, të cilës nuk kanë mundur t’ia ndërrojnë strukturën e fortë.

Arkitekti Përparim Rama, nga kompania dizajnuese e lokalit, kur foli për Gazetën Jeta në Kosovë, më 20 nëntor, tha se “gjithsesi e presim fitoren”.

Rama është edhe pjesë e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, i cili lëshoi një komunikatë për ngjarjen, të enjten, duke përgëzuar arkitektin kosovar dhe kompaninë e tij për suksesin.

“Vetëm me vlera do të integrohemi në Bashkimin Evropian”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Asociacionit.

Shpallja e fituesve rastësisht përkoi me 28 Nëntorin, kur shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit.

“Dhe po, fitoi Hamami…”, kështu e komentoi në rrjetin social Facebook, çmimin e parë për lokalin prishtinas, bashkëpronari i tij Dardan Islami.

Përparim Rama, në të njëjtën intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, para nëntë ditësh, edhe pse e pranoi se Hamami… është vetëm një element i kryeqytetit, tha se suksesi i këtij lokali në aspektin arkitektonik, mund ta stimulojë turizmin urban në Prishtinë.

“Qytetet e ndryshme në botë shfrytëzojnë arkitekturën për zhvillimin e turizmit”, tha ai.