Filmi për Diplomatin Holbrooke Stërmbush Sallën në Sarajevë

Kinemaja në Sarajevë ishte e vogël për të pranuar të gjithë ata që donin ta shihnin të dielën filmin “Diplomati”, një dokumentar të regjisorit David Holbrooke, lidhur me jetën e babait të tij si diplomat amerikan.

Holbrooke është parë si organizatori i Marrëveshjes së Daytonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës katërvjeçare në Bosnjë.

David Holbrooke tha para shfaqjes se filmi bënte fjalë për familjen e tij, por gjithashtu edhe për diplomacinë dhe se ai ishte i lumtur që kishte një interesim të tillë për këtë film në Sarajevë.

Filmi përmban intervista me disa nga figurat më të rëndësishme të politikës, diplomacisë dhe gazetarisë si ish-sekretaret e shtetit Hillary Clinton dhe Madeleine Albright, sekretarin aktual John Kerry, ish-kryetarin amerikan Bill Clinton, gazetarët Christiane Amanpour, Roger Cohen, Diane Sawyer dhe shumë të tjerë.

Filmi është shfaqur në kuadër të programit të veçantë të Festivalit të Filmit në Sarajevë të quajtur “1995-2015 Përballja me të shkuarën” dhe pjesa qendrore e këtij programi ishte ndërmjetësimi i Holbrooke-ut për marrëveshjen e paqes që ndodhi në bazën Write-Petterson në Dayton të Ohajos që ndodhi në nëntor 1995.

Richard Holbrooke ishte emëruar si negociatori kryesor nga presidenti amerikan për të sjellë palët ndërluftuese të Bosnjës në tavolinën e negociatave.

Një shembull tipik i negociatorit të drejtpërdrejtë ai mori pajtimin e këtyre palëve më 21 nëntor 1995 për t’i dhënë fund luftës, pas bisedimeve trejavëshe, vizatimit të hartave dhe diskutimit për rregullimin e ardhshëm territorial dhe politik të Bosnjës.

Pas vdekjes së babait të tij në vitin 2010, David Holbrooke vendosi të bëjë një film në lidhje me trashëgiminë e diplomatit që kishte një karrierë të frytshme pesëdekadëshe të punës në pjesë të ndryshme të botës, nga Vietnami, Gjermania, Bosnja e Kosova dhe Afgsnistani.

Filmi ofron njohuri për politikën e jashtme amerikane dhe tregon se si vepron diplomacia në botë. Dokumentari 110 minutësh u është kushtuar “ gjeneratave të reja të diplomatëve”.

Organizatorët e festivalit shitën shumë bileta të dielën, duke lëshuar edhe një numër të madh ftesah për diplomatë dhe organizata ndërkombëtare. Kjo është arsyeja që dokumentari do të ketë edhe shfaqje të tjera në ditët e ardhshme të festivalit.

Arman Fazliq, një student i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë në Sarajevë i tha BIRN-it se filmi tregon që edhe pse diplomacia është fjalë e pistë për ndokënd, ajo luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes, parandalimin e konflikteve dhe çështjet ekonomike.

“Historia e jetës së Holbrooke tregon se ekziston edhe ana tjetër e medaljes së diplomatëve të lartë-duke krijuar një çarje mes diplomatëve dhe familjeve të tyre,” tha ai. “Holbrooke tregoi që është e mundshme që çështjet e tilla të përballohen dhe filmi është provë e veçantisë së kësaj, të këtij profesioni nganjëherë kontrovers”.