Serbët e Kosovës Protestojnë për Lirimin e Ivanoviqit

Policia tha se rreth 1,000 serbë të Kosovës protestuan ditën e premte në veri të Mitrovicës, duke bërë thirrje për lirimin e Ivanoviqit, i cili është në pritje të vendimit të gjyqit të tij për krime lufte.

Ivanoviq, lider i partisë Liri, Demokraci dhe Drejtësi, tha në letrë që ai tani “nuk po lufton vetëm për veten e lirinë time, por për sigurinë juridike të të gjithë njerëzve të cilët qëndruan për të jetuar këtu në Kosovë”.

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Branimir Stojanovic, mori pjesë në protestë së bashku me katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe.

Marko Gjuriq, drejtor i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, u takua me ekipin e mbrojtjes së Ivanoviqit të premten në Mitrovicë dhe tha se Beogradi do të vazhdojë ta mbështesë kauzën e tij.

Ai tha gjithashtu se kryeministri serb Aleksandër Vuçiç po bisedon rregullisht me komunitetin ndërkombëtar në lidhje me rastin Ivanoviq.

“Për aq kohë sa Ivanoviq është pas hekurave, ne mund të themi se edhe liria e serbëve është pas hekurave,” tha Gjuriq.

“Ata që vendosën për zgjatjen e paraburgimit të tij  duhet të dinë se po afron një kohë kritike, Ivanoviq ka tetë ditë që është në grevë urie dhe tani ata janë përgjegjës për shëndetin e tij,” shtoi ai.

Gjuriq tha edhe një herë se Serbia do të sigurojë garanci për Ivanoviqin në mënyrë që ai të lirohet nga paraburgimi.

Ivanoviq akuzohet për krime lufte duke urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ai supozohet se ishte udhëheqësi i një njësie policore paraushtarake.

Ai akuzohet gjithashtu, së bashku me dikë tjetër, për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Katër të pandehur të tjerë, Dragolub Delibashiq, Aleksandar Lazoviq, dhe babai dhe djali Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq, gjithashtu përballen me akuza për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

Të gjithë e kanë deklaruar veten të pafajshëm.