Kryeministri i Kosovës: Zgjidhni Vrasjet Politike të Pasluftës

Ditën e hënë në Prishtinë, gjatë ceremonisë për nder të luftëtarëve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), krahu i armatosur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa tha se duhen ndëshkuar me dhjetëra vrasje të pasluftës së aktivistëve të partisë.

“Institucionet tona duhet të ndalojnë së fajësuari njëri-tjetrin për vrasjet dhe krimet. Këto çështje duhet t’i zgjidhin organet e drejtësisë,” tha Mustafa.

Përkujtimorja shënoi përvjetorin e fillimit të betejës së FARK-ut kundër forcave serbe në Loxhë pranë qytetit të Pejës në korrik 1998.

Gjatë dhe pas luftës në Kosovë, liderët e FARK-ut, një grup i vogël ushtarak i themeluar në vitin 1998 nën autoritetin e qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës ishin në rivalitet me forcat më të mëdha guerilase, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Partia pretendon se me dhjetëra aktivistë të LDK-së u vranë pas luftës.

LDK-ja në të kaluarën ka akuzuar Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK) për vrasjen e anëtarëve të saj, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili është tani kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Në ceremoninë e së hënës, Mustafa lavdëroi Tahir Zemajn, komandantin e FARK-ut i cili udhëhoqi luftën në Loxhë.

Zemaj ishte ndër aktivistët e LDK-së të vrarë pas luftës. Ai u vra më 4 janar 2003 së bashku me djalin e tij Enisin dhe kushëriri i tij Hasanin në Pejë.

Një nga vëllezërit e tij, Ramë Zemaj, tha se familja po priste ende që çështja të zgjidhej dhe shpresonte që qeveria e Mustafës do të bëjë vënien e drejtësisë.

“Kam besim tek ai dhe ekipi i tij. Shpresoj që në të ardhmen e afërt të ndodhë diçka,” tha Zemaj.

Një ish-luftëtar i FARK-ut, Besnik Puka nga Prizreni, gjithashtu u ankua se komisioni qeveritar i cili po merret me verifikimin e veteranëve të luftës ka miratuar vetëm 80 nga 350 anëtarët e FARK-ut që kanë aplikuar.

“Kjo është një shaka,” tha Puka, i cili erdhi në Prishtinë për ta diskutuar këtë çështje me deputetin e LDK-së Armend Zemaj që është nipi i ish-komandantit të FARK-ut Tahir Zemaj.