Përsëri Para Gjyqit Djali i Kryeministrit

Në seancën e sotme është duke dëshmuar Zeqir Smajli, pronar i agjencisë turistike “Kosova Voyage”.

Ai po tregon se si në vitin 2009 agjencisë së tij i mbetën udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës.

11:01

Ka filluar gjykimi kundër Besnik Mustafës dhe gjashtë personave tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim.

Në këtë proces gjyqësor Besnik Mustafa, djali i kryeministrit Mustafa, bashkë me dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës Ismail Berishën dhe Nexhat Balën dhe dy punonjës të Bankës për Biznes Selajdin Ujkanin e Shefqet Krasniqin akuzohen për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar.

Pjesë e aktakuzës janë edhe biznesmenët Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi që akuzohen për mashtrim.

Rasti ka të bëjë me problemet që në vitin 2009 kishin 1 mijë e 600 udhëtarë për t’u kthyer në Gjermani, pasi kishin kryer pushimet në Kosovë, ngase kompania spanjolle “Pronair” nuk e kishte dërguar aeroplanin për t’i bartur drejt shtetit gjerman.

Prokuroria Speciale e Kosovës nisi hetimet për këtë rast në tetor të vitit 2009, ndërsa aktakuza u ngrit më 7 mars 2013.

Në vitin 2009 Besnik Mustafa punonte në Bankën për Biznes.

Gjykimi i këtyre shtatë personave ishte duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndërsa u zhvendos më 1 qershor në degën e kësaj gjykate në Kaçanik për shkak të hapësirës më të madhe të gjykatores.