Bashkimi Evropian Kërkon të Mos Vonohet Votimi për Specialen

Një debat i caktuar javën e kaluar në Kuvend qe shtyrë ende pa filluar për, siç u tha, shkaqe teknike sado që opozita u shpreh se ky debat nuk u mbajt pasi që koalicioni qeveritar nuk kishte vota të mjaftueshme për t’i votuar amandamentet kushtetuese për themelimin e gjykatës.

Por Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha të hënën për KALLXO.com se institucionet e Kosovës duhet ta caktojnë datën e mbajtjes së seancës.

“Është prerogativë e autoriteteve të Kosovës ta caktojnë seancën e Kuvendit dhe ta themelojnë Gjykatën Speciale. Vendosmëria e Kosovës për ta proceduar këtë çështje nuk duhet të ndikohet nga shtyrje të mëtejme”, tha Kocijançiq.

Sipas saj, Kosova tani hyrë në zotime me Bashkimin Evropian vitin e kaluar kur ka miratuar shkëmbimin e letrave ndërmjet Presidentes Jahjaga dhe ish Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

“BE ka ofruar tërë mbështetjen e nevojshme dhe në kohë të duhur për autoritetet e Kosovës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit”, u shpreh Kocijançiq.