Ujërat e Zeza Derdhen në Oborr të Shkollës!

Kanalizimi ka shpërthyer nga dy puseta në oborrin e shkollës së fshatit Llukë e Epërme të Deçanit, duke rrezikuar shëndetin e nxënësve të saj, ndërsa zyrtarë komunalë thonë se do të intervenojnë gjatë verës.

Punonjësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Kuvendi i Verrave të Llukës thonë se problemin me ujërat e zeza që dalin mbi sipërfaqe e kanë që një vit.

Kadri Tahirukaj, mësimdhënës i kësaj shkolle frikohet për shëndetin e nxënësve.

“Është hera e dytë apo e tretë që shpërthen kanalizimi dhe ujërat e zeza dalin mbi sipërfaqe. Kjo normal që na pengon dhe rrezikon shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve. Shprehim shqetësimin tonë edhe si prindër se këtu i kemi fëmijët e fshatit tonë,” thotë mësimdhënësi Tahirukaj.

Në këtë ambient ku ujërat e zeza zënë hapësirën e oborrit të shkollës dhe kundërmojnë, vijojnë mësimin 150 nxënës.

Besarta Tahirukaj, drejtoreshë e shkollës, shqetësimin e saj për kanalizimin e shfaqi për KALLXO.com me anë të një deklarate me shkrim.

“Ne si drejtori e shkollës kemi bërë kërkesë për rregullimin e kanalizimit i cili është në afërsi 100 metra prej objektit shkollor. Drejtoria e Urbanizmit është përgjigjur pozitivisht ku pritet së shpejti me u bë lidhja e këtij rrjeti në kanalizimin i cili është në proces të rregullimit për tërë fshatin,” tregon drejtoresha Tahirukaj .

Ajo fajin për mungesë intervenimi nga komuna ua la kushteve të këqija atmosferike.

“Vonesa në rregullimin e kësaj çështje është për shkak të kushteve atmosferike. Tani me rregullimin e motit pritet që së shpejti të rregullohet ky problem. Mbesim me shpresë që kërkesa jonë të realizohet sa me shpejt që të jetë e mundur,” shpreson Tahirukaj.

Edhe komuna ka në plan rregullimin e këtij problemi.

“Kemi fillu në një fshat tjetër, jo në Llukë po në fshatin Carrabreg. I kemi aty dy-tri segmente pa përfunduar, po dojmë t’i mbyllim ato si segmente edhe me përfundimin e atyre segmenteve do t’kalojmë edhe tek fshati Llukë,‘’ bëri të ditur drejtori i Urbanizmit në Komunën e Deçanit Ramë Melaj.

Mësimdhënësi Tahirukaj kërkon ndërhyrje sa më të shpejtë për largimin e ujërave të zeza nga oborri i shkollës, ngase frikohet për përhapjen e ndonjë epidemie.

“Ne bëjmë apel, bëjmë thirrje të bëhet një zgjidhje pak me urgjente sepse tash me ngrohjen e kohës rrezikon që këtu të infektohemi, të lindin infeksione të ndryshme . Siç jeni këtu prezentë po e shihni që edhe po kundërmon era dhe shpresojmë që do të gjendet një zgjidhje,” shprehet Tahirukaj.

Por komuna planifikon intervenimin pikërisht kur koha do të jetë më e ngrohtë.

“Mendoj se dikun nga gjysma e vitit, eventualisht te korriku do të mbyllet si projekt. Edhe ky problem i cili është shqetësues, pajtohem që është shqetësues, do të evitohet shumë shpejt . Besoj që qershori nuk kalon për pa u kryer edhe ky problem ,” premton drejtori i Urbanizmit Melaj.

Ujërat e zeza që derdhen në oborrin e shkollës janë pjesë e rrjetit të mëhershëm të kanalizimit të një lagjeje në Llukë të Epërme.

Drejtori Melaj thotë se ky rrjet do të ndërpritet dhe nuk do të përfshihet në kanalizimin që komuna është duke ia rregulluar fshatit.