Bashkimi Evropian i Premton 1 Miliard Investime Ballkanit Perëndimor

Kështu u shpreh sot Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, pas konferencës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt sot në Prishtinë.

“Po flasim për 1 miliard euro që do të investohen dhe kjo duhet të jetë e planifikuar”, u tha Hahn gazetarëve pas kësaj konference.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm edhe për implementimin e reformave të BE-së.

“Ne duhet të fokusohemi në implementimin e marrëveshjeve. Do të ketë përkrahje evropiane por secili duhet të kontribuojë në këtë bashkëpunim rajonal që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të krijojmë vende të punës”, tha Hahn.

Për projekte të përbashkëta rajonale “në të mirë të gjeneratave që vijnë”, foli edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Qoftë në ndërtimin e autostradave të reja që do të lidhin vendet tona me mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian është inkurajim i ri që të punojmë në evropianizimin e vendeve tona që të ecin ne standardet dhe kriteret evropiane”, tha Thaçi.