Kosova Pjesë e Konkursit të BE-së për Gazetarinë që Ndryshon Jetën

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës Nehat Islami me rastin e lansimit të këtij çmimi tha se gazetaria hulumtuese tani është shtrirë në të gjitha zhanret e gazetarisë.

“Në gazetarinë hulumtuese, guximi dhe qëndresa janë dy shtylla kryesore të profesionit që shpesh ndryshon jetën rrënjësisht. Të kujtojmë vetëm rastin ‘Watergate’ kur gazetaria hulumtuese rrëzoi presidentin amerikan Nikson”, u shpreh Islami.

Ndërkaq, Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë, tha se liria dhe integriteti i medias janë njëra nga vlerat kryesore të Bashkimit Evropian.

“Nuk ka rëndësi se si puna juaj mund të komplikojë jetën tonë siç bën sot, BE-ja gjithmonë do të luftojë për të drejtat tuaja për të hulumtuar dhe raportuar”, tha Zhbogar.

Çmimi për gazetarinë hulumtuese do të ndahet çdo vit në shtatë shtete të rajonit për tre vjet me radhë: 2015, 2016 dhe 2017.

Gazetarët përfitues të këtij çmimi do të shpërblehen prej 3 mijë deri ne 5 mijë euro.