Migrimi e Pengon Veselin të Ndihet Krenar me Progresin e Kosovës

“Ka një progres të jashtëzakonshëm Republika e Kosovës, në të njëjtën kohë ka edhe ende sfida po ashtu të jashtëzakonshme dhe po ashtu së bashku do t’i zgjidhim . Natyrisht që vala e njerëzve që lëshojnë shtëpitë dhe vendin e vet nuk na bën që të ndihemi aq krenar por na bën që të jemi më të përgjegjshëm, domosdoshmërisht në përmirësimin e jetës së këtyre njerëzve”, tha Veseli pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit.

Kryeparlamentari foli edhe për çështjen e njohjeve të Kosovës duke thënë se presin njohje nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Unë shpresoj që do të ketë njohje për arsye se vetë procesi i shpalljes së pavarësisë tonë është proces i pakthyeshëm. Ajo që është më kryesore është se do të ketë një përshpejtim, veçanërisht në integrimin në Bashkimin Evropian, por edhe njohja. Shpresoj që shumë shpejt do të na njohin disa nga këto vende anëtare të Bashkimit Evropian”, pohoi Veseli.

Për këtë çështje Veseli tha se u diskutua sot në njërën ndër pikat e rendit të ditë së Kryesisë së Kuvendit.

“Pikërisht sot e patëm në njërën nga pikat e rendit të ditës çështjen e krijimit të grupeve të miqësisë të parlamenteve të cilat jo që do të fokusohen vetëm në vendet që tradicionalisht kemi marrëdhënie të mira, por veçanërisht edhe me ato vende që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur”, deklaroi Veseli.

I pari i legjislativit, Kadri Veseli tha se Kuvendi akoma nuk kanë marrë formalisht marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë për gjykatën në veri.

“Dua të theksoj që shumica që është biseduar, ajo është edhe marrëveshja, por formalisht nuk kemi ndonjë marrëveshje që është nënshkruar”, tha ai.

E i pyetur se përse Kuvendi ka mungesë të ligjeve për t’u miratuar, Veseli tha se e gjithë kjo çështje varet nga Qeveria e Kosovës por bëri të ditur që shumë shpejt do të ketë edhe iniciativa për ligje nga vetë ai dhe grupet parlamentare sidomos në çështjen e bizneseve.

Gjatë mbledhjes së kryesisë u shqyrtuan vetëm rekomandime dhe njoftime . Njëri nga rekomandimi i Komisionit për Zhvillim ekonomik , Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me shkresën e AKP-së .

Veseli tha se shkresa ka të bëjë me bordin e AKP-së për çka u bëri thirrje medieve dhe shoqërisë civile të jenë pjesë e çdo procedure në Kuvend për këtë çështje.