"Zarfi" i Bankës Botërore për Termocentralin “Kosova e Re”

Një numër i madh i akterëve me peshë në vendimmarrje në Kosovë po lobojnë që tenderuesi i vetëm për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, një kompani amerikane, të gjejë përkrahje për implementimin e projektit më të madh investues në Kosovë në 16 vitet pasluftës.

Një dokument i siguruar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) që është një përmbledhje e rezultateve të takimeve të Ranjit Lamech, menaxher i sektorit të energjisë për Evropë nga Banka Botërore, e datës 7 dhjetor 2014, jep shpjegime se si duhet të vazhdohet me tenderin kontrovers.

Lamech i shkruan kolegëve të tij, Ellen Godlstein përfaqësuese e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor dhe Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe të tjerëve.

Lamech në përmbledhjen e tij shpjegon për takimet që ka pasur në Kosovë më 1 dhe 2 dhjetor ku është takuar pothuajse me të gjitha palët e përfshira në projektin TC Kosova e Re.

Ai thotë se është takuar me partnerët e rinj të koalicionit qeveritar të Kosovës, PDK dhe LDK ku për këtë të dytën thotë se Banka Botërore duhet të investojë në “edukimin e tyre” si dhe të ndikojë që në këtë parti të fitohet besueshmëria ndaj projektit, pasi që në të kaluarën LDK kishte shfaqur hezitime rreth ecurisë së procesit.

“Marrë parasysh profilin e projektit, ata sigurisht se i dinë parametrat e gjerë, sidoqoftë, ata po kërkojnë më shumë “transparencë”  dhe informata për procesin”, shkruan Lamech.

Ai shtoi se pas kontaktit me Todd Christiansen, shefi i sektorit ekonomik në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, se ata janë mbështetës të fortë për ndërtimin e termocentralit.

Ai shtoi se Christiansen do të ndihmojë rreth koordinimit me agjencitë e Shteteve të Bashkuara dhe do të punojë për të zgjeruar edhe mbështetjen politike nga Uashingtoni.

“Pikëpamja e tyre mbizotëruese është se me një ofertues të Shteteve të Bashkuara, ka gjasë për të pasur më pak kundërshtime nga disa fraksione në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara”, thotë Lamech.

Lamech thekson se edhe ndryshimi i fuqisë në Kongres dhe Senat, nga Demokratët tek Republikanët, do tu ndihmojë drejt mbështetjes së qeverisë së ShBA-së për thëngjillin.

Më 19 dhjetor është bërë hapja e ofertës së vetme që kishte dorëzuar investitori i parakualifikuar, “Contour Global” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka ofertuar për ndërtimin e dy blloqeve – secili nga 300 megavatë.

Lamech flet edhe për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZh të cilët i kishin thënë se nuk janë të gatshëm të mbështesin në mënyrë publike projektin e Kosovës së Re.

Ai shpjegon se në takimin me Anton Kubakov, menaxheri i BERZh-it për Kosovën, se ata janë ende në fazën e vlerësimit të brendshëm të projektit.

“Ata e kanë derën politike të hapur për angazhimet e mundshme për thëngjillin në Kosovë dhe Mongoli – ngjashëm me pozicionin politik të Bankës Botërore” shkruan Lamech.

Lamech flet edhe për tenderin e kritikuar për ndërtimin e TC Kosova e Re pasi që për të ka pasur vetëm një ofertë. Ndërsa, Ligji i Prokurimit të Kosovës thekson se duhen të jenë së paku dy ofertues të përgjegjshëm për këtë tender.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për këtë më 19 janar ku as qeveria e Kosovës dhe as Banka Botërore nuk ishin të qarta se cilat procedura të prokurimit janë përdorur në këtë rast.

Qeveria e Kosovës tashmë është në vlerësim të ofertës së kompanisë amerikane, Contour Global dhe ka vazhduar drejt negocimit të një kontrate.

Lamech lavdëron Partinë Demokratike të Kosovës, e cila pas zgjedhjeve përsëri ka nën menaxhim ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e cila udhëheq përpjekjet e qeverisë për ta jetësuar projektin “Kosova e Re”.

Ai thotë se ka parë shumë “entuziazëm dhe optimizëm” nga PDK-ja e cila, sipas tij, e kupton mirë sfondin e projektit pasi që ka kaluar shumë kohë në të.

“Ata kanë pasur perspektiva praktike në çështjet të cilat kanë nevojë të zgjidhen menjëherë sikurse pranueshmëria ligjore e të punuarit me tenderë njëburimorë (ose për të negociuar me të) në një proces konkurrues”, shkruan Lamech.

Ai sugjeron që qeveria e Kosovës të mund të vazhdojë edhe me vetëm një ofertues pasi që “ka pasur një përvojë të tillë së fundmi, kur një ofertues i vetëm u pranua në një shitje konkurruese/proces të koncesionimit për zhvillimin e një resori të skijimit”.

Lamech sugjeron se shembulli i Brezovicës mund t’i hapë rrugë edhe tenderit të TC Kosova e Re.

Lamech po ashtu flet edhe për takimin me Komisionin Evropian i cili i kishte thënë se ekzistojnë sasi të konsiderueshme të burimeve financiare të Bashkimit Evropian të cilat Kosova ka gjasë t’i humbë sepse “askush në Qeveri nuk po punon në mënyrë proaktive për t’i definuar dokumentet strategjike të programit, të nevojshme për t’i paraqitur para Brukselit”.

Ai po ashtu i bënë me dije kolegëve të tij se duhet të jenë në gatishmëri kur të vijë koha për negociatat me kompaninë Contour Global sa i përket vlerësimit të kapitalit të mundshëm.

Lamech merr shembull rastin e Global Contour dhe angazhimin e saj në Armeni në fillim të vitit 2013 kur kanë negociuar me ish-qeverinë e këtij vendi.

Ai thotë se Contour Global nënshkroi marrëveshje me ish-qeverinë e Armenisë për të blerë dhe rehabilituar ujëvarën Vorotan dhe tri hidrocentralet për kapitalin themelor të kthimit prej 23 për qind.

“Qeverisë së re nuk i pëlqyen parametrat e marrëveshjes,  posaçërisht kapitali IRR, dhe ka dashur që ta tërheqë marrëveshjen për çështjet teknike ligjore. Qeveria amerikane nuk ishte e kënaqur dhe i vendosi armenët nën presion”, thotë Lamech.

Rinegocimi solli marrëveshje të re prej 13 për qind.

Lamech këshillon kolegët se duhen të jenë të përgatitur dhe të kenë qëndrime në pyetjen e arsyeshmërisë për Kosovën e Re në kohë të duhur.

“Marrë parasysh çështjen e reputacionit dhe ato ekonomike të lidhura me këtë projekt- kjo do të jetë një çështje e rëndë dhe e madhe për ne, siç do të jetë edhe për Qeverinë e re”, thotë ai.

Lamech flet edhe për nevojat dhe zbrazëtirat e ardhshme financiare për TC Kosova e Re ku thekson se të gjitha palët janë të vetëdijshme për sfidat që vijnë në financimin e projektit 1 miliard dollarësh në Kosovë.

“Grupi i qeverisë së ShBA-ve dhe Beqaj thanë se bankat lokale kosovare mund të dëshirojnë të ofrojnë hua për projektin – nuk do të jetë shumë ndoshta mes 50-100 milionë euro, por çdo gjë është një ndihmesë”, thotë ai në dokumentin pesë faqesh.

Dokumenti i plotë