Përsëri Nuk Punojnë Semaforët e Pejës

Edhe pse në Pejë janë vetëm një palë semaforë problemet me ta nuk kanë të ndalur.

Përsëri ata janë jashtë funksionit.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës Ukë Selimaj thotë për KALLXO.com se ende nuk është zgjedhur operatori për rregullimin e sinjalistikës.

“Nuk është zgjedhur kompania dhe nuk është bërë ende alokimi i mjeteve,“ u shpreh ai.

Të njëjtën gjë Selimaj e tha edhe muajin e kaluar, kur semaforët nuk punonin, ndërsa KALLXO.com-i kishte shkruar për ta, pasi një qytetar ishte ankuar për tollovi në komunikacionin  e Pejës në pjesën e rrugës që rregullohej prej tyre.

Selimaj tregoi se semaforët qenë rregulluar nga prishja për të cilën raportoi KALLXO.com-i, por në ndërkohë sipas tij ka ndoshur një defekt tjetër.

“Ne e kemi rregulluar, por ka ndodhur një defekt që do të rregullohet shumë shpejt,” tha drejtori i Shërbimeve Publike.

Ai premtoi se brenda ditës apo nesër më së largu semaforët do të rregullohen.

“I kemi dërguar ekipet për t’i rregulluar për ta parë se ku është problemi,” deklaroi Selimaj.

Sipas qytetarit që raportoi prishjen në janar, këta semaforë shpeshherë kanë probleme.