Bahtiri Lavdërohet në Drekën e Shtruar për Gazetarë

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri shtroi sot drekën e fundvitit për gazetarët e medieve kosovare. Para drekës ai lavdëroi punën e qeverisjes komunale të drejtuar prej tij. 

Kur mori detyrën e tij në fillim të këtij viti, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri kishte premtuar qeverisje transparente. 

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” nuk ka marrë përgjigje në katër kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, drejtuar Komunës së Mitrovicës. 

Gazetari i KALLXO.com-it, para se Bahtiri ta shtronte drekën e fundvitit për gazetarë, e pyeti kryetarin e Mitrovicës se pse ai nuk e kishte mbajtur premtimin për transparencë duke mos iu përgjigjur kërkesave për qasje në dokumente publike. 

“Nuk jam në dijeni për këtë punë. Shkojmë me pyetje tjera”, u përgjigj Bahtiri. 

Para se gazetarët t’i shtronin pyetje, Bahtiri paraqiti rezultatet e punës së tij njëvjeçare. Tha se prej ardhjes së tij në këtë post ka punuar për të mirën e Mitrovicës dhe qytetarëve të saj. 

Bëri me dije se bashkë me subjektin e tij politik i kishin dhënë ultimatum Qeverisë Thaçi rreth Ligjit për “Trepçën” dhe shpalljen e Mitrovicës zonë të lirë ekonomike. 

Bahtiri tha se shpenzimet komunale të pushtetit të tashëm lokal janë zvogëluar për 63 për qind në raport me vitin e kaluar kur Mitrovica qeverisej nga administrata e Avni Kastratit të PDK-së. 

Ai foli edhe për të ashtuquajturin “park të paqes” në urën kryesore të lumit Ibër. Tha se edhe ai do të hiqet.