Avokati: Duda Balje e Deklaroi Gabimisht Pasurinë nga Mosdija

Kallëzimi penal ndaj saj është ngritur nga Agjencia Kundër Korrupsionit, përfaqësues të të cilit institucion ishin të pranishëm në seancë.

Në rast se akuza provohet, deputetja Balje rrezikon të gjobitet dhe të marrë një dënim prej 6 muaj deri në 5 vjet burg.

Por Ruzhdi Berisha, mbrojtësi i deputetes Balje, e kundërshtoi aktakuzën duke thënë se në këtë rast nuk ekziston elementi qenësor i veprës penale që është dashja.

Sipas tij, të ardhurat që nuk janë deklaruar nga deputetja paguhen nëpërmjet xhirollogarisë bankare dhe kjo ka mundur të jetë ndonjë gabim gjatë plotësimit të formularit.

Si rezultat i kësaj, avokati Berisha, propozoi që aktakuza si e tillë të hedhet poshtë.

 “Duke konsideruar se nuk ka prova, propozojmë të hedhet poshtë aktakuza”, tha ai.

E nëse kërkesa nuk i merret parasysh, avokati kërkoi që tre kolegë deputetë të Duda Baljes, Enis Kervan, Albert Kinolli dhe Myfera Shinik të ftohen në cilësinë e dëshmitarëve.

Mbrojtja pretendon se deputetja e ka plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë së bashku me këta deputetë dhe ky ka mund të jetë ndonjë lëshim, e kurrsesi veprim i qëllimshëm.

Mirëpo mendim ndryshe nga mbrojtja, pati prokurorja e Shtetit Sahide Sefa.

Ajo, i propozoi gjykatës që me rastin të procedohet më tutje dhe të shkohet në shqyrtimin kryesor.

 “Në bazë të provave të pranueshme për gjykatën, propozoj që të vazhdohet me shqyrtimin e mëtejshëm gjyqësorë, respektivisht gjykata të caktoi gjykimin kryesor brenda afatit të paraparë me ligj’’, tha prokurorja Sefa.

Gjykatësi Zejnullah Gashi hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes ndërsa mbrojtja paralajmëroi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Avokati Ruzhdi Berisha, tha për KALLXO.com, se për të njëjtën vepër penale po ndiqen më shumë se 20 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Në rastin konkret nuk është në pyetje dashja, por është në pyetje një mosdije, përkatësisht një lëshim i një grupi të madh deputetësh të atij sesioni, ku mbi 20 deputetë ndiqen për këtë vepër penale”, tha avokati i Duda Baljes.

Deputetja Balje, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, akuzohet se më datë 28 mars 2013, në kohë të papërcaktuar në Agjencionin Kundër Korrupsion në Prishtinë, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në formularin për deklarimin e pasurisë, ka qenë e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë.

Duda Balje ka paraqitur vetëm pagën bazë si deputete në shumën prej 17 mijë e 856 euro, ndërsa në bazë të të dhënave të Kuvendit të Kosovës, është konstatuar se të hyrat vjetore nga Kuvendi për deputeten Duda Balje, janë 24 mijë e 327,19 euro.

Diferenca e mosdeklarimit të pasurisë është 6 mijë e 471, 19 euro, diferencë të cilën, deputetja Balje, e merr në cilësinë e deputetes për pjesëmarrje në seancat dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Për të njëjtën vepër penale, në gjykatën e Prizrenit po akuzohet edhe deputeti Nait Hasani.