Thaçi Nuk Tregon Se Kush Do të Jetë Kryeministër i Qeverisë PDK-LDK

Këto komente Thaçi i bëri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai tregoi se kryesia e partisë që drejton, u mblodh për t’i dhënë përkrahje koalicionit bashkëqeverisës me LDK-në.

“Kemi formuar dy grupe punuese që kanë qenë dhe pjesë e diskutimit dhe marrëveshjes edhe me kryetarin Mustafa. Grupin punues për përmbylljen apo finalizimin e marrëveshjes dhe grupin punues që do të punojë për hartimin e programit të ri qeverisës që do të ngërthejë orientimet programore të dy partive që janë shumë të përafërta”, tha Thaçi.

I pyetur se kush do të jetë i nominuari për kryeministër, ai ka thënë se ende nuk është biseduar për ndarjen e tri posteve kryesore.

“E theksova, ne kemi formuar grupet punuese, grupet punuese do të diskutojnë në orët dhe ditët e ardhshme. Gjithçka do të jetë transparente, përgjegjësitë do të ndahen, tri përgjegjësitë kryesore”, shtoi Thaçi.

Sipas tij, në grupet punuese do të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë që do të ndihmojnë në ndërtimin e institucioneve dhe reformave në vend.

“Do të kemi edhe ekspertë ndërkombëtarë të cilët do të na ndihmojnë në mënyrë që të fillojmë shpejt më ndërtimin e institucioneve të reja, institucione që do të bazohen në reforma perëndimore, në reformat politike, ekonomike, reformat legjislative të nevojshme për vazhdimin e zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Thaçi shtoi se në qeveri do të jenë të përfshira edhe komunitetet.

“Do të kemi një përfshirje edhe të spektrit politik gjithetnik që është edhe me kushtetutë, por edhe zotim dhe vullnet i yni”, tregoi ai.