PDK dhe LDK Pajtohen Për Koalicionin Qeveritar

Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, zotëri Thaçi dhe zotëri Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presdientes.

“Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tone”.

“Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin lehtësues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë process”, thuhet në komunikatë.