Gjykata Largon Publikun nga Salla në Rastin Sekiraqa

Pas kërkesës së dëshmitarit Faton Shoshi për seancë gjysmë të mbyllur, trupi gjykues vendosi që ta largojë publikun nga salla e gjykimit.

10:30

Dëshmitari Kërkon Seancë Gjysmë të Mbyllur në Rastin Sekiraqa

Në gjykimin kundër Enver Sekiraqës që po akuzohet për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza, por edhe për detyrim dhe dhunim, është duke dëshmuar Faton Shoshi. Shoshi duhej të dëshmonte më 14 nëntor, por para pesë ditësh nuk u paraqit në gjykatë, ngase sipas babait të tij ishte i sëmurë.

Dëshmitari kërkoi seancë gjysmë të mbyllur, duke u arsyetuar se kështu ndihet më komod për ta dhënë dëshminë.

Kjo nënkupton përjashtimin e publikut nga salla.

Enver Sekiraqa në këtë proces gjyqësor po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, për detyrim dhe dhunim.

Riza ish-polic i njësisë speciale qe vrarë para shtatë vjetësh.

Pas vrasjes, kolegët e Rizës dyshohen se vunë një mjet shpërthyes në lokalin e Enver Sekiraqës. Shpërthimi në këtë lokal, po ashtu para shtatë vjetësh vrau dy e plagosi 11 persona.

Një proces tjetër gjyqësor për shpërthimin te lokali i Sekiraqës është duke u zhvilluar paralelisht me procesin ku Sekiraqa është i akuzuar.

Në rastin e shpërthimit Enver Sekiraqa është palë e dëmtuar.