Imami Shefqet Krasniqi Lirohet Nga Arresti Shtëpiak

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Bajram Tmava, avokat i Shefqet Krasniqit.

“Prokurori Special Reshat Millaku ditën e djeshme ( e mërkurë) ka deponuar një kërkesë që masa e arrestit shtëpiak ndaj Shefqet Krasniqit të ndërpritet. Krasniqit i është caktuar që të paraqitet një herë në javë në stacion policor”, tha avokati Tmava.

Përveç kësaj mase, avokati Tmava ka treguar se Krasniqit i është ndaluar edhe kontakti me të dyshuarit që gjenden në liri e që ishin arrestuar së bashku me të, si dhe mbajtja e ligjëratave në kulte fetare.

Shefqet Krasniqi së bashku me katërmbëdhjetë persona ishin arrestuar nga Policia e Kosovë më 17 shtator 2014 nën dyshimin se kanë kryer  vepra penale pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes, rekrutim për terrorizëm, shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe thirrje për rezistencë.

Krasniqit fillimisht i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndërsa më pas masa e arrestit shtëpiak.