Hashim Thaçi e Isa Mustafa Bashkë në Bruksel

Edhe Hashim Thaçin e PDK-së, edhe Isa Mustafën e LDK-së ‘rastësia’ do t’i gjejë në ngjarjen e njëjtë nesër në Bruksel kur të dy liderët e dy partive më të mëdha në vend do të marrin pjesë në takimin e anëtarëve të Partive Popullore Evropiane

Por përfaqësues të këtyre dy subjekteve politike mohojnë se dy liderët synojnë arritjen e një marrëveshje për koalicion në mes së LDK-së dhe PDK-së.

Deri më tani, liderët e bllokut LDK-VV-AAK-NISMA kanë refuzra çdo ofertë që u ka ardhur nga Thaçi dhe nga adresa tjera për t’u takuar me Thaçin.

Në ndërkohë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë parë në dy raste në ndeja joformale.

Joformalisht mund të takohen edhe në Bruksel.

Këtë e konfirmuan për KALLXO.com,  përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së.

Por ata mohojnë se takimi ka për qëllim arritjen e një marrëveshjes për koalicion në mes së Mustafës dhe Thaçit.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, tha se takimi i Partivce Popullore Evropiane do të mbahet nesër dhe sipas tij, në të njëjtin lokal mund të jenë edhe Thaçi edhe Mustafa.

“Këto partitë popullore kanë nesër një tubim, e aty mund të shihen të dytë, se me sa e di unë edhe Isa ka shkuar atje”, tha Musmurati.

I pyetur se a është e mundur që të dy liderët të bisedojnë lidhur me arritjen e një koalicioni për formimin e institucioneve, Musmurati se në këtë takim ata nuk kanë lidhje mes veti.

“Nuk kanë lidhje këta mes veti, po aty kanë me qenë në një lokal brenda sigurisht”, shtoi Musmurati.

Edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se me ftesë të Presidentit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, Mustafa do të marrë pjesë në këtë takim, por ajo mohoi mundësinë që të dy liderët do të bisedojnë lidhur me arritjen e një marrëveshje.

“Në fakt, këto janë deklarata që po dëgjohen në opinion, por Mustafa do të udhëtojë në Bruksel për takim me zotëri Jozeph Daul”, tha Osmani.

Ajo tha se Mustafa aktualisht gjendet në Berlin, i cili është ftuar nga CDU-ja që është një parti anëtare e partive popullore evropiane.

“Zoti Mustafa është në Berlin me ftese së CDU-së, që është po ashtu anëtare e partisë popullore evropiane dhe aty është diskutuar ndër të tjera edhe për zhvillimet politike në vend për daljen nga kriza, por po ashtu, edhe për bashkëpunimin në mes së LDK-së dhe CDU-së”, u shpreh Vjosa Osmani.