Edi Rama: Shqiptarët Nuk Duan Shqipëri të Madhe Por Evropë të Madhe

“Jam i ndërgjegjshëm për situatën, sakrificat dhe varfërinë. Do mbrojmë interesat e vëllezërve dhe motrave tona në këto troje. Barrën e ndjej tani më shumë pas këtij nderimi. Tani ndjehem një nga qytetaret e këtyre territoreve”, u shpreh Rama kur mori titullin “Qytetar Nderi” të akorduar nga komuna e Preshevës.

Në një fjalim para qytetarëve në shtëpinë e Kulturës, Rama tha se nuk do të rresht së punuari për të rilindur Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.

“Shqiptarët nuk janë në një betejë të përbashkët për një Shqipëri të Madhe, por jemi në një betejë të përbashkët për një Evropë të Madhe”.

Duke folur për të drejtat e shqiptarëve në tri komunat e Luginës së Preshevës, Rama tha se liria dhe të drejtat e çdo shqiptari janë të paprekshme pavarësisht vendit se ku jeton.

“Pakicat nuk mund të jenë pengesë ndasie por duhet të jenë ura lidhëse. Unë ia kam thënë edhe kryeministrit Vuçiq se nuk ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës që të kenë më pak mundësi, më pak të drejta sesa serbët e veriut të Kosovës”, tha Rama.

Rama rikujtoi pozitën e pakicave në Shqipëri dhe Kosovë ndërsa tha se këto dy janë model të respektimit të minoriteteve.

“Ne shqiptarët duhet të jemi të gjithë krenarë se atë që e duan për vetën tonë nuk ia mohojmë tjetrit ama atë që ja japim tjetrit askush nuk mund të na e mohojë ne”, pohoi ai.

Kryeministri Rama mes përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve tha se shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, janë garantë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit.

Ndër tjera, Rama tha se pas diskutimit me homologun e tij Aleksandër Vuçiq ka firmosur për njohjen reciproke të diplomave.

“Diploma e Republikës së Shqipërisë do të jetë një dokument i njohur dhe i barasvlershëm me diplomën e marrë në Republikën e Serbisë”, theksoi Rama.

Përveç saj kryeministri Rama u bëri thirrje të rinjve të Luginës së Preshevës si atyre shqiptarë dhe serbë të mos trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike e së kaluarës.

Kryeministri Rama u prit në Preshevë nga mijëra qytetar të cilët mbanin në duar flamuj kombëtarë.