Sindikata e KEDS-it Kërcënon me Grevë Nëse Nuk Rriten Paga Për 120 Euro

Këshilli Grevist me 7 vota për, 6 kundër dhe një abstenim kanë aprovuar propozimin e hedhur në votim nga kryetari i Këshilli Qendror Grevistë (KQG), Fehmi Pajaziti, që deri me 10 dhjetor 2014, t’i jepet afat shtesë KEDS-it për realizimin e kërkesave të tyre.

“Ne po kërkojmë që kërkesat të realizohen në bazë të dialogut. Nëse ato nuk realizohen, ne do të ndjekim rrugë të tjera për realizimin e kërkesave tona”, ka thënë kreu i KQG-së, Fehmi Pajaziti, në një konferencë për media.

Ndërmjetësuesi i Pavarur  dhe Menaxhmeti i KEDS, kanë kërkuar edhe katër javë kohë, që t’i shqyrtojnë kërkesat konkrete të punëtorëve të KEDS-it.

Kërkesa kryesore e sindikatës është që pagat e të gjithë punëtorëve të KEDS-it të rriten për 120 euro. Punëtorët e KEDS-it veprojnë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Këshilli Qendror Grevistë në mbledhjen që kanë mbajtur me 7 nëntor 2014, kanë diskutuar raportimin e ekipit negociues lidhur me takimet me ndërmjetësin e pavarur dhe Menaxhmetin e KEDS-it, që përmes dialogut të merren vesh për realizimin e kërkesave të tyre.

Për më tepër, punëtorët e KEDS-it kishin paralajmëruar më 12 tetor, se në grevë do të hynin nga 22 tetori, nëse nuk realizohen kërkesat e tyre. Por ata kanë shtyrë disa herë afatin duke menduar të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.

Kërkesat e punëtorëve të KEDS-it i ka mbështetur Haxhi Arifi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Kosovës, duke thënë se do t’i mbështesë punëtorët deri në fund për realizimin e kërkesave të tyre.