Blloku Ia jep Edhe Një Rast PDK-së Për Kryetar të Kuvendit

Pas takimit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka konfirmuar këtë vendim.

“Morëm vendim për t’iu drejtuar kryesueses me nënshkrime për thirrjen e seancës. Meqë të drejtën për nominim e ka PDK dhe mundësinë për thirrjen e seancës e ka Flora Brovina, ne po kërkojmë që të thirret seanca sa më shpejt dhe të gjendet zgjidhja”, tha Haradinaj para gazetarëve.

Ai nuk ka bërë specifikuar nëse deputetët e bllokut paszgjedhor do ta votojnë kandidatin e propozuar nga PDK për kryetar të Kuvendit.

“PDK e ka të drejtën e nominimit, por ne e kemi të drejtën tonë për të votuar. Dhe ne përfaqësuesit e bllokut e kemi përcaktimin tonë se për kë do të votojmë. Blloku është unik”, tha ai.

Sipas Haradinajt, marrëveshja ndërmjet tri partive politike është bërë për një qëllim.

“Një marrëveshje është bërë dhe ajo është bërë për ta larguar Hashim Thaçin nga pushteti”, u shpreh ai.

Por kështu nuk mendon shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Ai u tha sot gazetarëve se Hashim Thaçi do të jetë në krye të qeverisë së ardhshme.

“Shumë shpejt Hashim Thaçi do ta bëjë qeverinë”, tha Grabovci.

Ai ka përjashtuar mundësinë që seanca e Kuvendit të vazhdojë pa një marrëveshje paraprake ndërmjet liderëve të partive politike.

“Nuk do të ketë seancë pa e pasë një marrëveshje paraprake në tavolinë. PDK që nga 8 qershori është e hapur për bisedime me partitë tjera për krijimin e institucioneve”, tha Grabovci.

Sipas tij, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese ia kanë dhënë “të drejtën ekskluzive” PDK-së që ta propozojë kandidatin për kryetar kuvendi.