Suedia Njeh Pavarësinë e Palestinës

“Sot qeveria merr vendimin për ta njohur shtetin e Palestinës”, tha ministrja e jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom në një deklaratë të publikuar në gazetën Dagens Nyheter, të enjten.

“Ky është një hap i rëndësishëm që konfirmon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje”, tha ajo duke shtuar se “shpresojmë që ky hap do ta trasojë rrugën edhe për të tjerët”.

Kryeministri i ri suedez, Stefan Lofven, kishte bërë të ditur në adresimin e tij inaugurues në parlament në fillim të tetoritse vendi i tij do të bëhet shteti i parë anëtar i BE-së në Evropën perëndimore që njeh shtetin e Palestinës.

Përderisa palestinezët janë gëzuar nga ky vendim, Izraeli e ka thirrur ambasadorin suedez për t’ia shprehur protestën dhe zhgënjimin për këtë vendim.