Banka Botërore e Ngrit Kosovën për 6 Vende në të Bërit Biznes

Raporti i Bankës Botërore i “Bërit Biznes në Kosovë” është lavdëruar nga ministri në detyrë i Ministrisë së Tregtisë, Ismet Mulaj dhe nga drejtor i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini.

Kosova këtë vit ka lëvizur për 6 vende më lart, sipas raportit të Bankës Botërore që është publikuar të mërkurën.

Në pikën e parë ku flitet për fillimin e të bërit biznes, Kosova ka lëvizur nga vendi i 100-të në vendin e 42-të.

“Ky është një sukses i Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë”, ka thënë ministri Mulaj.

Kjo ka qenë ngritja më e madhe këtë vit.

Ndërsa në indikatorin tjetër ku përmendet mbrojtja e investimeve Kosova ka pasur ngritje vetëm për një vend.

Gazmend Mejzini, drejtor i Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve e ka arsyetuar këtë fakt me krizën ekonomike që e ka kapur gjithë rajonin.

Gazeta Jeta në Kosovë, në shkurt të 2014, pati raportuar se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, investimet e huaja vazhdimisht kanë rënë, duke u përgjysmuar vitin e kaluar për kah vlera milionëshe e tyre.

Ambasadorët e shteteve që duan të investojnë në Kosovë përmendin korrupsionin, krimin e organizuar dhe sistemin e dobët gjyqësor, si arsye që mbajnë larg Kosovës kompanitë e vendeve të tyre.

10:44

Kosova është radhitur në vendin e 75-të në raportin e sivjetmë të Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2015” duke u ngritur për 6 vende në krahasim me raportin e vitit të kaluar kur qe radhitur në vendin e 81-të.

Raporti i sivjetmë tregon se Kosova e ka bërë më të lehtë dhënien e lejeve të ndërtimit duke e themeluar një skemë të re të inspeksionit dhe duke zvogëluar tarifën e ndërtimit.

Në raport përmendet në Kosovë tani është më e vështirë që të transferohet prona pasi që është ngritur tarifa e regjistrimit të transaksioneve të pronës, ndërsa zbatimi i kontratave është bërë më i lehtë pasi që është vendosur sistemi i përmbarimit privat.

Në raportin e vitit të kaluar, Kosova kishte marrë vlerësim në nisjen e biznesit, lëshimin e lejeve të ndërtimit dhe regjistrimin e pronës.