Vendi në Krizë të Thellë, Presidentja Mund T’i Shpallë Zgjedhjet

Zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë për KALLXO.com se nëse liderët e partive politike nuk gjejnë një zgjidhje për konstituimin e institucioneve, atëherë zgjedhjet mbeten si opsion.

“Presidentja Jahjaga po kërkon nga liderët zgjidhje dhe jo zgjedhje, por nëse alternativa e vetme e mbetur janë zgjedhjet atëherë duhet të shihet mundësia që vendi të dalë nga kjo krizë e thelluar”, tha Vllahiu.

Ai tha se për shkak të krizës politike vendi ka hyrë në një krizë të thellë institucionale e cila rrezikon ta lëkundë qëndrueshmërinë e shtetit.

“Kemi hyrë në një periudhë të rëndë për vendin dhe posaçërisht në një krizë të thellë institucionale, kur po lëkundet qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës dhe po rrezikohet edhe mirëqenia e qytetarëve të vendit”, tha ai.

Sipas tij, për daljen nga kjo krizë kërkohet një angazhim i plotë nga liderët e partive politike.

Nga ana tjetër, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj,  të hënën pas takimit me liderët e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma, ka kritikuar të parën e vendit, pasi që sipas tij, ajo nuk po e luan rolin e arbitrit për daljen nga kriza.

“Ju tani po e shihni kemi një rreshtim bllok të Presidentes, të Gjykatës kushtetuese dhe të kryeministrit në shkuarje. Kosova po vuan se asnjëri nga ata që janë institucione të pavarura që duhet të jenë arbitër nuk e kanë marrë rolin e arbitrit por kuptohet janë bashkuar në një bllok”, shtoi Haradinaj.

Presidentja, Jahjaga, të premten ka refuzuar kërkesën e bllokut paszgjedhor LDK-AAK-NISMA të cilët kishin  kërkuar nga ajo që ta adresojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për sqarim të pikës 127 të vendimit të mëparshëm të kushtetueses.