Gazetarët Me Heshtje Kërkojnë të Dëgjohet Keqtrajtimi i Tyre

Në sheshin “Zahir Pajaziti” ishte pikëtakimi i gazetarëve në orën 11:00.

Ata nuk ishin mbledhur për ta ndjekur ndonjë ngjarje të rëndësishme të ditës, siç ndodh rëndom, por për të protestuar ndaj sulmeve në rritje kundër tyre.

Ftesa për këtë protestë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ardhur pas sulmit të djeshëm ndaj gazetarit të “Klan Kosovës”, Milot Hasimja.

Hasimja është therur me thikë, derisa po kryente punët e tij, brenda hapësirës së televizionit ku punon. Ai po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare, derisa është jashtë rrezikut për jetë.

Nisur nga sulmi ndaj Hasimjes, edhe kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani, i ka ftuar pronarët e mediave që të respektojnë Ligjin e Punës dhe Sigurisë në Punë.

“U bëjmë thirrje edhe pronarëve të mediave që të respektojnë Ligjin e Punës dhe Sigurisë në Punë”, ka shtuar më tej Shabani.

“Fatkeqësisht ky nuk është rasti i vetëm, ne kemi 21 raste të dëshmuara nga kolegët tanë dhe të dhënat tregojnë për rritje të presionit dhe dhunës ndaj gazetarëve”, ka thënë Shabani.

Kryetari i gazetarëve, Shabani, ka kërkuar që për secilin kërcënim ndaj gazetarëve të bëhen hetime urgjente.

Kur protestuan në mars e prill të vitit 2012 kundër neneve 37 e 38 të Kodit të Ri Penal të Kosovës që u kërkonin të zbulonin burimet e informacionit, gazetarët patën fishkëlluar me bilbila.