Theret Me Thikë Gazetari i TV Klan Kosova

Kryeministri në largim Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë reaguar ndaj sulmit që sot i është bërë gazetarit të TV Klan Kosova, Milot Hasimja.

“Aktet e këtilla janë të papranueshme dhe të patolerueshme, ngase cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe të  mendimit, që përbën një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë dhe shtetit që po e ndërtojmë”, ka thënë kryeministri në largim Thaçi, në një komunikatë për media.

Edhe kryetari i AAK, Ramush Haradinja ka thënë se sulmi ndaj gazetarit Hasimja është i papranueshëm.

“Është diçka e papranueshme që një gazetar të sulmohet në detyrë ose në vendin e punës. Kërkojmë prej organet të rendit dhe të gjithë organizmave të tjerë që ti ndërmarrin të gjitha masat për këtë veprim dhe mos lejuar që gazetarët me qenë të kërcënuar, të sulmuar apo të penguar në punë e tyre”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë.

“KMDLNj konstaton se nuk është ky sulmi i parë ndaj gazetarëve dhe se sulmet ndaj tyre, sidomos kohëve të fundit janë përshkallëzuar që nga kërcënimi verbal, sulmi fizik, pengimi gjatë kryerjes së punës deri te rrezikimi i jetës siç ishte rasti i fundi i sulmit ndaj gazetarit të Klan Kosovës, Milot Hasimja”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së. 

11:58

Policia e Kosovës, e ka konfirmuar lajmin për therjen e gazetarit Milot Hasimja ndërsa ka treguar se kanë arrestuarin të dyshuarin që ka kryer këtë vepër, dhe se ne vendin e ngjarjes është gjetur edhe thika, prej të cilës Policia pretendon se Milot Hasimja, ka marrë 4 plagë.

Gazetari i lënduar është dërguar në Qendrën Emergjente në QKUK për trajtim mjekësor.

Sipas Nerxhivane Halimit mjeke në QKUK pacienti ka arritur në spital rreth orës 11 me vetëdije dhe me katër plagë, tri në kokë dhe një në qafë.

“Pacienti është në ekzaminim e sipër. Njëherë për njëherë është stabil”, tha Halimi.

Drejtori i Informacionit Gazmend Syla, i cili ishte i pranishëm në ambientet e QKUK-së tha se pak pas orës 10 një person është futur në lokalet e Klan Kosovës dhe e ka kërkuar gazetarin.

“Dikush i ka treguar se ku është Miloti dhe krejt çka dimë më pas është se e ka qëlluar me thikë tri-katër herë në pjesën e prapme të kokës”, tha Syla.

Sipas tij punonjësit e Klan Kosovës e kanë ndaluar më pas personin në fjalë derisa ka ardhur policia dhe e ka arrestuar.

Ndërkohë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me shqetësim ka marr lajmin për therjen me thikë të gazetarit të Klan Kosovës, Milot Hasimja, derisa ishte duke kryer punën në vendin e tij të punës. AGK dënon ashpër sulmet e tilla dhe fton organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente ndaj sulmuesit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas këtij reagimi, sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shqetësuese e të pa tolerueshme dhe AGK e cilëson këtë si kërcënim ndaj fjalës së lirë dhe profesionit të gazetarisë.