Gazeta Jeta në Kosovë Shpërblehet Për Raportimin Mbi Varfërinë

UDNP sot ka ndarë çmimet për gazetari hulumtuese në fushën e varfërisë. Me këtë çmim UNDP  ka shpërblyer gazetarë të Gazetës Jeta në Kosovë, Kohës Ditore, televizionit Klan Kosova, të përditshmen Tribuna, dhe Radio “038 – Gracanica”.

Nektar Zogjani e Tinka Kurti nga Gazeta Jeta në Kosovë janë shpërblyer me vendin e parë në kategorinë e mediave online në konkursin për gazetari hulumtuese në fushën e varfërisë, të organizuar nga UNDP, dhe të monitoruar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Artikulli “Mjerimi i Kampit të Fushës së Pajtimit” me të cilin u shpërblye Gazeta Jeta në Kosovë, pasqyron jetën e rëndë të banorëve në fushën e Pajtimit, lagje kjo që gjendët në hyrje të Prishtinës.

Ndërsa në raportimin për televizion, vendin e parë e fitoi Florent Zeqaj nga Klan Kosova, me storien “80 vjeçarja jeton vetëm me djalin me aftësi të kufizuara” si dhe vendin e dytë e fitoi  Merita Sekiraëa nga emisioni “Edhe unë jam Kosove”, në RTV21.

Në kategorinë e mediave të shtypura, vendin e parë e fitoi Nexhat Tovërlani me artikullin “Fëmijëria e munguar e njëmbëdhjetëvjecarit” nga Koha Ditore si dhe vendin dytë e fitoi Saranda Ramaj, me artikullin “45 ish-ushtarë të UÇK-së kanë kryer vetëvrasje”, gjithashtu nga Koha Ditore.

Për storien më të mirë në radio shpërblimin e fitoi Ivan Miljkovic me storien  “Tregimi për nënën”, nga “Radio 038 e Gracanicës”.

Ndërsa në kategorinë e fotografisë, u shpërblye Xhemail Sllovinja nga gazeta Tribuna.

Për 9-të vite me radhë UNDP shpërblen gazetarët nga mediat e ndryshme të Kosovës për raportimin mbi varfërinë.