Kanadaja Nuk Ndalet Në Luftën Kundër Terrorizmit

“Nuk do të frikësohemi. Kanadaja kurrë nuk do të frikësohet”, tha kryeministri Stephen Harper të mërkurën në një adresim televiziv disa orë pasi një person i maskuar dhe i armatosur vrau një ushtar roje në Muzeun e Luftës në Otava. I dyshuari më pas hyri në mjediset e Parlamentit në një sulm dramatik por u ndal kur u gjuajt për vdekje nga një gardë ceremoniale.

Harper e quajti këtë si sulmin e dytë terrorist ndaj vendit brenda tri ditëve. Një person të cilin Harper e përshkroi “terrorist të inspiruar nga ISIS” të hënën sulmoi dy ushtarë në një parking në Quebec, duke vrarë një dhe plagosur tjetrin, para se të vritej nga policët. Sikur edhe i dyshuari në Otava të mërkurën, edhe ai së fundi ishte konvertuar në islam.

Hetuesit dhanë pak informacione rreth personit të armatosur në Otava, duke e identifikuar atë si kriminelin 32 vjeçar Michael Zehaf- Bibeau.

“Në ditët në vijim do të mësojmë për terroristin dhe veprat që ai mund t’i ketë kryer”, tha kryeministri Harper.

Dëshmitarët thanë se ushtari i vendosur në Memorialin Kombëtar të Luftës, i identifikuar si Nathan Cirillo, ishte gjuajtur nga një person që bartte një pushkë dhe ishte i veshur në të zeza dhe me fytyrën gjysmë të mbuluar me një shall. Ai ishte parë duke ngritur duart në shenjë triumfi, e më pas hyri në parlament, disa qindra metra më larg, ku u dëgjuan disa të shtëna, sipas dëshmitarëve.

Në Uashington, Presidenti i ShBA-ve, Barack Obama, dënoi sulmin duke e quajtur atë si “mizor”.

“Ne duhet të jemi vigjilentë”, tha Obama.

Ambasada amerikane në Otava është mbyllur si masë parandaluese ndërsa siguria është shtuar te Varri i Ushtarit të Panjohur dhe në Varrezat Kombëtare në Arlington në periferi të Uashingtonit.

Ndërsa Harper tha se sulmet do të ndikojnë në shtimin e vendosmërisë dhe dyfishimin e përpjekjeve “për ta mbajtur vendin të sigurt dhe për të punuar me aleatët e Kanadasë për t’i luftuar terroristët”.