Punëtorët e Fabrikës Fapol Kundërshtojnë Mënyrën e Privatizimit
Ata janë kundër vendimit 26 gusht të AKP-së për privatizim të kësaj ndërmarrjeje.
Punëtorët kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi për një kohë pasi, sipas tyre, nuk është momenti i përshtatshëm për privatizim, për shkak të gjendjes politike në vend.
Hajriz Konushefci, kryetar i sindikatës së punëtorëve, thotë se në këtë kohën e amullisë politike, dikujt po i konvenon të ngutet me privatizim të ndërmarrjes.
“Duam një privatizim në mënyrë më të rregull duket pritur një situatë më të mirë politike”, tha ai.
Fabrika Fapol në Podujeve e cila ka një hapësirë prej 7 hektarësh, pas një vendimi të vitit të kaluar të Kuvendit Komunal të Podujevës, komuna kishte marrë pronësinë e tokës.
Kurse me vendimin e fundit të AKP-së në privatizim kanë dalë vetëm objektet e ndërmarrjes.
Imer Gashi, anëtar i sindikatës ,thotë se ky veprim është i dëmshëm për punëtorët pasi që ka pasur mjete për paga edhe për 7 ose 8 muaj.
“Me privatizimin në këtë situatë punëtorët do të mbesin pa paga”, tha Gashi.
Në përkrahje të protestuesve ka dalë edhe Ramush Berisha nga Sindikata e Metalistëve të Kosovës.
Ai thotë se kërkesat e punëtorëve janë të mirëfillta dhe se “nuk duam të radikalizohen nëse nuk hasin në mirëkuptim”, tha ai.
Në komunikatën e Agjencionit Kosovarë të Privatizimit thuhet se në takimin e menaxhmentit me përfaqësuesit e punëtorëve u janë sqaruar procedurat ligjore dhe të drejtat e ish punëtorëve.
Sipas AKP-së është procedurë ligjore shkëputja e të gjitha kontratave të punës ndërmjet ndërmarrjes dhe punonjësve në rastin e likuidimit.
“Në mesnatën e Datës së Vendimit për Likuidim prishen të gjitha kontratat e punës që kanë qenë në fuqi deri atëherë ndërmjet ndërmarrjes dhe punonjësve të saj, nëse të tilla ekzistojnë”, shkruan në komunikatën e AKP-së.