Zvarritje Të Reja Në Horizont Për Zhbllokimin e Institucioneve

Kandidati për kryeministër nga ky bllok paszgjedhor, Ramush Haradinaj, të mërkurën bëri të ditur se shumë shpejtë do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar sqarim për pikën 127 e cila përcakton mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Jam pak i shqetësuar me këtë qasje të Presidentes për shkak se komunitetet kanë bërë një kontribut të tyre dhe kanë kërkuar ndihmën që të dilet nga gjendja”, tha sot Haradinaj.

“Tani ne si deputetë do ta shfrytëzojmë rrugën që na mbetet dhe nuk na mbetet rrugë tjetër vetëm t’i drejtohemi Gjykatës dhe besoj se do t’i drejtohemi”, u shpreh ai.

Në rast se blloku LDK-VV-AAK-NISMA e jetëson këtë ide, kjo nuk do të jetë hera e parë që Gjykatës Kushtetuese i kërkohet sqarim për vendimet paraprake të këtij institucioni.

Brenda historisë së shkurtër të kësaj gjykate, deri më tani, Kushtetuesja është përballur dy herë me kërkesa të tilla.

Në vitin 2010, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte kërkuar sqarim për një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Fabrikës së Çelikut “IMK” në Ferizaj.

Kërkesa e dytë për sqarim ishte drejtuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në vitin 2011 nga ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli dhe nga kryeministri Hashim Thaçi për zgjedhjen dhe pasojat e largimit të Behxhet Pacollit nga detyra e Presidentit.

Në të dyja këto kërkesa, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte ofruar sqarimet e kërkuara.

Edhe kësaj radhe, Ramush Haradinaj beson se Gjykata Kushtetuese do ta japë një sqarim në kërkesën që do t’i drejtohet nga blloku që ai e përfaqëson.

“Gjykata mund ta japë një dalje nga kjo gjendje dhe ne besojmë se do ta sqaroj si të dilet nga kjo gjendje në bazë të vendimit. Pra nuk kërkojmë vendim të ri por sqarim se si të dilet nga gjendja ekzistuese në bazë të vendimit”, tha Haradinaj duke shtuar se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese zgjedhje ligjore dhe jo politike.

“Ne presim prej gjykatës me instrumentet e veta të na jap një dalje”, tha ai.

Presidentja dje ka refuzuar kërkesën e deputetëve të pakicave që ajo t’i kërkoj sqarim Gjykatës Kushtetuese për rrugën që duhet ndjekur drejt funksionalizimit të Kuvendit.

Por Ramush Haradinaj tha se “nuk e kupton” arsyetimin e Presidentes se një kërkesë e tillë mund ta zvarrisë zgjidhjen e problemit.

“Nuk pajtohem me këtë vlerësim të Presidentes. Situata është e bllokuar dhe kjo mund të ishte dalja dhe nuk e kuptoj këtë qasje po ju them sinqertë se nuk e kuptoj qasjen e saj”, pohoi ai.

E gjatë ditës së mërkurë, deputetë nga radhët e komunitetit joshqiptar kanë krijuar një bllok në mënyrë që të veprojnë me qëndrime të përbashkëta. Ata janë shprehur të zhgënjyer nga me përgjigjen e marrë nga Presidentja për kërkesën e tyre në lidhje me pikën 127 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Deputetët e partive minoritare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, janë shprehur të zhgënjyer me përgjigjen e marrë nga Presidentja, për kërkesën në të cilën kërkohej që presidentja t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e pikës 127.

“Jemi të pakënaqur me përgjigjen e Presidentes sepse atë në këtë rast e kishim konsideruar ndërmjetëse mes pakicave dhe Gjykatës Kushtetuese, dhe konsideronim që ajo do ta dërgojë kërkesën tonë në Gjykatën Kushtetuese që më në fund të zgjidhet kjo pika 127”, tha deputetja boshnjake Duda Balje.

Ajo është shprehur se nuk e kanë pritur përgjigjen negative nga Presidentja Jahjaga.

“Qëllimi ynë ishte që të jemi të paanshëm, të respektojmë ligjet dhe Kushtetutën dhe gjithçka të zgjidhet në mënyrë demokratike, kështu që jemi të pakënaqur”, theksoi ajo.

Balje paralajmëroi krijimin e një blloku nga pakicat joshqiptare duke thënë se do të  diskutojnë për veprimet tjera që do të ndërmarrim si deputetë të pakicave që kjo krizë të zgjidhet.

“ Ne tashmë kemi filluar disa veprime, dhe nuk është mirë që të krijohen blloqe të ndryshme brenda parlamentit dhe brenga grupeve parlamentare. Siç po shkojnë gjërat mendoj se interesat e pakicave në Kosovë janë pothuajse të ngjashme dhe ne po ashtu mund të bëjmë diçka të tillë”, theksoi Balje.

Deputetja boshnjake tha se deputetët që e nënshkruan këtë kërkesë janë fitues të opsioneve politike dhe ata nuk frikësohen nga zgjedhjet e reja.

Sipas Presidencës, zgjidhja për nyjën institucionale është përgjegjësi e deputetëve të zgjedhur me votën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në respektim të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha është e vështirë të gjendet bazë juridike që t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese ta sqarojë pikën 127 pasi që, sipas tij, ky institucion ka vendosur një herë.

“Pra në kuptimin hipotetik parimisht është vështirë të gjendet hapësirë juridiksionale për t’ia mundësuar gjykatës për t’u shprehur në një gjë për të cilën ajo ka bërë një herë”, tha Korenica.

Ai pohoi se kjo kërkesë do të duhej të bëhej në rrethana tjera nga deputetët e bllokut.

“Unë e kuptoj kërkesën e bllokut që ata të kenë edhe një vendim të ri të gjykatës në lidhje me pikën 127 por një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse blloku pas një veprimi të ri në kuvend do ta ankimonte veprimin e tillë në Gjykatën Kushtetuese dhe përmes një ankimimi të tillë do të ngriste argumentin e saj që lidhet me pikën 127”, u shpreh Korenica.

Ai tha se në të kundërtën e kësaj nuk ka fare hapësirë që një gjë e tillë mund të ndodh meqë “Gjykata nuk praktikon përgjigje në pyetje që janë hipotetike dhe që nuk janë pjesë e një rasti të ri kushtetues që në vetvete duhet të jetë kundërthënës”.