Senatorit Amerikan i Merret Grada Master

Kolegji i Luftës i Ushtrisë Amerikane ia revokoi senatorit demokrat John Walsh gradën Master pasi një hetimi që përfundoi të premten zbuloi se ai bëri plagjiaturë në hulumtimin me të cilin diplomoi.

Kolegji angazhoi në muajin gusht një bord të rishikimit akademik për t’i rishikuar dyshimet e hedhura pas një artikulli të The New York Times në të cilin tregohej se Walsh kishte marrë materiale prej punimeve tjera për punimin e vet të cilin e shkroi në vitin 2007.

Walsh po ndiqte studimet për gradën Master në moshën 47 vjeçare, një vit para se të bëhej ndihmës gjeneral për mbikëqyrjen e Gardës Nacionale të shtetit.

Bordit të Carlisle, kolegjit të Pensilvanisë, iu desh më pak se një ditë për të dëgjuar rastin dhe për t’i bërë publike gjetjet më 22 gusht. Por procesi i apelit dhe rishikimit nuk u komletua deri të premten.

“Bordi gjeti se koloneli i atëhershëm John Walsh kreu veprën e plagjiaturës prandaj grada Master dhe statusi si i diplomuar i Kolegjit të Luftës së Ushtrisë Amerikane duhet t’i revokohet”, tha zëdhënësi i Kolegjit, Carol Kerr në një deklarat.

Bordi i rishikimit të punimit tha se plagjiatura ishte “skandaloze”. Një rishikim i punimit të Walsh gjeti shumë pak, nëse jo aspak, përmbajtje origjinale ose hulumtim dhe se “ajo ishte e hartuar nga kopjimet fjalë për fjalë nga burimet tjera” e të cilat janë prezantuar nga Ëalsh si punë e tij.

“Me pak fjalë, punimi është plagjiaturë dhe… plagjiatura është e qëllimshme”, ka thënë Bordi në një raport.

Zyra e Walsh lëshoi një deklaratë në të cilën thotë se senatori nuk pajtohet me të gjeturat, por e pranon vendimin e kolegjit.

“Kërkoj falje nga të gjithë banorët e Montanas për plagjiaturën e punimit të vitit 2007 dhe jam i përgatitur që t’i bart pasojat. Mund të mos jem studiues, por jam krenar që kam qenë ushtar dhe i kam shërbyer Montanas dhe këtij shteti të mrekullueshëm për 33 vjet në uniformë”, tha ai.

Walsh hoqi dorë nga gara për senat e 4 nëntorit pas raportit për plagjiaturë, por mbetet në ulësen e senatit të cilën e mori në muajin shkurt, kur Max Baucus dha dorëheqje për t’u bërë ambasador i ShBA-ve në Kinë.