Tirana Premton se Nuk Do Ta Pengojë Miellin Cilësor nga Kosova

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe prodhues të miellit, të cilët deshën që nga afër të njoftohen në lidhje me këtë çështje.

Ministri Panariti tha se ky takim vjen  pas takimit të dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Edi Rama në Prizren. Në këtë takim të dy kryeministrat kishin rënë dakord që të kenë qasje integrale në të gjitha fushat e zhvillimit.

“Nën frymën e takimit të Prizrenit, ne jemi këtu që të shpallur integrimin në fushën e silësisë dhe sigurisë  së ushqimit midis Kosovës dhe Shqipërisë, dhe për këtë jam këtu për të lansuar nismën tonë të re, prezantimin e platformës Kombëtare të ushqimit, e cila nuk është as e Tiranës, as e Prishtinës, por është e shqiptarëve”, tha Panariti.

Kjo platformë do të nënshkruhet në nëntor të këtij viti dhe do të jetë një dokument bazë i standardeve unike të cilësisë së sigurisë, të unifikimit të metodave dhe të unifikimit të dokumentacionit që shoqatën mallin.

Pas këtyre fjalëve, Ministri Panariti së bashku me kryeshefin Gjinovci kërkuan që me prodhuesit të mbajnë takim të mbyllur, për të diskutuar në lidhje me temën e eksportit të miellit.

“Media pas takimit të mbyllur me bizneset, Ministri do të japë intervistë për media” lajmëroi Lamir Thaçi, zëdhënës i AUVK-it.

Takimi me bizneset zgjati rreth një orë, dhe mbas takimit Ministri Panariti, tha se biseduan në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e mallrave ushqimore.

Por në muajin shtator Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë vendosi që ta bllokojë miellin që ka nivel të proteinës nën 12.5%. Sipas matjeve të tyre, cilësia e tashme e miellit nuk dallon shumë nga krundet që shfrytëzohen për kafshët.

Panariti tha se konsumatori shqiptar ka të drejtë që “të  konsumojë miell cilësor, e jo miell jocilësor”.

Sipas tij, produktet e Kosovës dhe të Shqipërisë janë produkte cilësore dhe por “nuk përjashtohen edhe rastet e spekulimit”.

“Produktet tona të cilat edhe prodhohen edhe eksportohen nga ana jonë, janë cilësore , dhe çdo herë monitorohen nga ana e agjencisë, dhe është edhe laboratori ai që e matë cilësinë, në këtë rast edhe për punën e miellit. U dakorduam që gjithçka është brenda standardeve, dhe u shpjegua që edhe ne jemi brenda standardeve që janë edhe në Bashkimin Evropian”, tha Gjinovci.

Sead Shehu, përfaqësues i prodhuesve të miellit, tha se ata ia shpjeguan ministrit shqiptar se produktet që prodhohen në Kosovë janë brenda standardeve të lejuara.

“Ne ia shpjeguam Ministrit çështjen e kualitetit që prodhohet në Kosovë dhe i garantuam që mielli që prodhohet në Kosovë është i kualiteti evropian”, tha Shehu.

Ministri Panariti tha se përderisa vërtetohet se çdo dërgesë e mallit për Shqipëri është brenda standardeve të lejuara, asnjë herë nuk do të ketë pengesa nga shteti shqiptar.