Flora Brovina Nuk e Thërret Seancën e Kuvendit Për Nesër

Brovina ka thënë se ajo nuk do ta thërrasë dhe nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

“Konstatuam se seanca për nesër nuk do të thirret nga unë, nuk do të përgatitet nga unë dhe unë si kryesuese nuk do të marr pjesë”, tha Brovina.

“Jemi të gatshëm që brenda 24 orëve të thërrasim mbajtjen e një seance konstituive nëse ka një vullnet për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit”, u shpreh ajo.

Sido që të jetë, Brovina ende nuk ka hequr dorë nga dëshira për t’i mbledhur rreth një tavoline liderët e partive politike.

“E pamë të nevojshme thirrjen e një takimi mes liderëve për të debatuar për mënyrën se sit ë dilet nga ngërçi, edhe pse kjo nuk parashihet në rregullore”, tha ajo por nuk precizoi ndonjë datë të thirrjes së një takimi të tillë.

Ndërsa Adem Grabovci, si përfaqësues i PDK-së në këtë takim, nuk ka dashur të flasë para gazetarëve.

Blloku LDK-VV-AAK-NISMA Këmbëngul për Vazhdimin e Seancës Nesër

13:01

Drejtuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka mbledhur sot përfaqësues të grupeve politike të përfaqësuara në Kuvend për të diskutuar rreth kërkesës së deputetëve për vazhdimin e seancës për ditën e nesërme.

Blloku LDK-VV-AAK-NISMA në këtë takim është përfaqësuar nga deputetja Vjosa osmani.

Ajo ka dalë nga takimi më herët se pjesëmarrësit tjerë, ndërsa u ka thënë gazetarëve se gjatë takimit është kërkuar që vazhdimi i seancës të mos mbahet nesër, pavarësisht kërkesës zyrtare me nënshkrimet e 62 deputetëve për ta thirrur këtë seancë.

“Sa isha në takim pati kërkesa që mos të mbahet seanca derisa të arrihet një marrëveshje mes liderëve të partive politike”, tha Vjosa Osmani.

Ajo u shpreh të mos jetë pajtuar me këtë kërkesë.

“Kam paraqitë kërkesën që ne duam të mbahet vazhdimi i seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë”, tha ajo.

“Unë isha kundër (shtyrjes) sepse debati duhet të mbahet në kuvend, para syve të qytetarëve, e jo prapa dyerve të mbyllura”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, liderët e katër partive të bllokut paszgjedhor nuk iu kanë përgjigjur ftesës së Flora Brovinës për takim pasi që “ata mendojnë se këtë mund ta bëjë Presidentja e jo Flora Brovina të cilës nuk i takon as me Rregullore të Kuvendit as me Kushtetutë” për të thirrur takim konsultativ.

Vjosa Osmani nuk dha përgjigje të prerë nëse blloku paszgjedhor do ta dërgojë në Kushtetuese për interpretim pikën 127 të vendimit paraprak të kësaj gjykate.

“Do ta shqyrtojmë mundësinë. Do të dalim me një qëndrim sot ose nesër. Për këtë do të vendosë shumica e deputetëve nënshkrues”, tha ajo.