Fillon Viti i Ri Akademik në UP

Mbi 13 mijë studentë pritet të jenë regjistruar në UP për këtë vit, ku prej tyre rreth dhjetë mijë ishin pranuar në afatin e parë, ndërsa edhe tre mijë pritet të regjistrohen në afatin e  dytë, i cili mbyllet sot për aplikim.

Adem Beha, këshilltar i rektorit Ramadan Zejnullahu, ka thënë për KALLXO.com se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e këtij viti akademi.

“Rektorati dhe njësitë akademike kane marre te gjitha masat e duhura që viti të fillojë mbarë”, ka thënë Beha.

Edhe pse viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës ishte dashur të fillonte me 1 tetor, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Arsyet e shtyrjes lidhen me konkursin për pranimin e studentëve në afatin e dytë, i cili u vonua të shpallej për shkak se Senati i UP-së nuk kishte arritur ta merrte këtë vendim më herët.

Disa herë, mbledhjet e senatit ishin penguar nga studentët protestues, të cilët nuk lejonin që rektori Ramadan Zejnullahu t’i kryesonte këto mbledhje.

Senatorët kishin arritur të merrnin vendimin për shpalljen e konkursit vetëm në mbledhjen e  26 shtatorit, ndërsa konkursi për pranimin e studentëve në afatin e dytë u hap zyrtarisht tri ditë më vonë.

Por, nuk ishte vetëm Universiteti i Prishtinës i cili nuk ka qenë i hapur për studentët me një tetor.

Probleme të tillë ka pasur edhe Fakulteti i Sigurisë Publike i cili pritet të hapet me 15 tetor, ndërsa Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, është hapur me 7 tetor.