Presidentja Alarmon: Vendi Gjendet Në Fazë Kritike

Më ashpër se çdoherë tjetër, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dërguar një alarm te liderët e partive politike se vendi është në krizë për shkak të mospajtimeve të këtyre të fundit.

Pas takimeve konsultative në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve për krijimin e institucioneve të Kosovës, Zyra e Presidentes ka lëshuar një komunikatë në të cilën thuhet se moskrijimi i institucioneve vështirëson jetën e qytetarëve.

“Presidentja Jahjaga në takimet e veçanta me liderët politikë theksoi se Kosova ka hyrë në një fazë kritike të saj dhe moskrijimi i shpejtë i institucioneve do ta vështirësojë jetën e qytetarëve dhe do ta pengojë funksionimin e përgjithshëm të shtetit. Ajo tha se është nevojë imediate krijimi i institucioneve të vendit për të përmbushur obligimet që ka shteti fillimisht ndaj qytetarëve dhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë”, thuhet në komunikatë.

Presidentja Jahjaga theksoi se shtyrja e zgjidhjes do të vështirësojë funksionimin e institucioneve të vendit si dhe do ta çojë vendin drejt një krize financiare dhe buxhetore.

Ajo kërkoi nga liderët politikë që të tregojnë maturi politike në këto çaste, të veprojnë në përputhje me kuadrin kushtetues si dhe të ofrojnë zgjidhjet që do të çojnë drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe avancimit të proceseve demokratike, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes.

Fatmir Limaj: Flora Brovina e Ka Keqkuptuar Rolin e Vet

16:52

Pa kaluar as një orë qëkur Flora Brovina bëri të ditur se i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike për nj takim konsultativ për të mërkurën, erdhi reagimi i parë nga blloku paszgjedhor LVAN.

Në fakt, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka lënë të kuptohet se përfaqësuesit e këtij blloku do ta injorojnë këtë ftesë, ashtu siç i kanë injoruar të gjitha ftesat e deritanishme të Brovinës për konsultime.

“Brovina nuk është organ, ajo duhet ta kuptojë rolin e vet. Nuk e jep as rregullorja e Kuvendit, as Kushtetuta që ajo t’i ftojë grupet politike për të përcaktuar diçka”, tha Limaj.

Ai tha se nesër, në vend se të shkojnë te takimi i thirrur nga Flora Brovina, blloku LDK-VV-AAK-NISMA do ta mbajë një takim intern për të diskutuar rreth seancës së thirrur për të enjten.

“Nesër do të dalim zyrtarisht për seancën”, tha ai.

Duke folur për takimin konsultativ me Presidenten Jahjaga, Limaj u shpreh se nuk ka arsye të diskutohet për ndonjë marrëveshje tjetër politike.

“Situata në të cilën gjendemi ne nuk është për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike. Marrëveshje politike ka dhe ajo marrëveshje e ka shumicën”, tha Limaj duke iu referuar numrit të deputetëve të mbledhur në koalicionin paszgjedhor.

16:08

Albin Kurti: Gjykata Po Na Pengon, Presidentja Nuk Po Na Ndihmon

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë të martën se pengesë për zgjidhjen e bllokadës institucionale që e ka kapluar vendin tash e tre muaj është vetë Gjykata Kushtetuese.

Pas takimit konsultativ me Presidenten Atifete Jahjaga, kreu i Vetëvendosjes u shpreh se as kjo e fundit nuk është duke dhënë ndihmën e sa në kapërcimin e krizës.

“Gjykata po na pengon në zgjidhjen e problemit, ndërsa Presidentja nuk po na ndihmon”, tha Kurti.

“Pushteti aktual i PDK-së është ilegal dhe jo i ligjshëm, ndërsa ne e kemi shumë të qartë se nuk mund ta shpëtojmë Hashim Thacin e Kadri Veselin me kompaninë e tyre”, tha Kurti.

Sipas tij, takimi me Presidenten nuk ka prodhuar :diçka të jashtëzakonshme”.

“Ne i prezantuam qëndrimet tona që duam demokraci në qendër, e qendra në Republikën e Kosovës është Kuvendi, por në të njëjtën kohë Republika e Kosovës e cila është bërë republikë e pakicës duhet të bëhet republikë e shumicës”, tha Kurti.

Nëse të enjten do të vazhdojë seanca konstituive, Kurti tha se aty duhet të ketë debat.

“Ne duam debat sepse konsiderojmë që debati prej zyrave të mbyllura qoftë ajo edhe zyra e Presidentes, duhet të bëhet në një vend të hapur siç është salla e Kuvendit”, tha Kurti.

Duke folur për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Albin Kurti tha se “kjo logjikisht dhe legalisht është e pamundur”.

15:28

Haradinaj: Hashim Thaçi është Monstrum Politik 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë nga takimi i sotëm konsultativ me Presidenten Atifete Jahjaga, i frustruar pse kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina, nuk e ka thirrur ende vazhdimin e kësaj seance, pavarësisht nënshkrimeve të deputetëve që e kërkojnë një gjë të tillë.

Por më shumë se me Brovinën, mllefi i Haradinajt është shfryrë në kryetarin e partisë të cilës i takon deputetja më e vjetër e kësaj legjislature- në Hashim Thaçin e PDK-së.

“Qeveritë e ndërgjegjshme dhe kryeministri i ndërgjegjshëm, kur e humbin shumicën në parlament, japin dorëheqje, por rasti i Thaçit është rast unik, ëshët një tip i monstrumit politik, realisht sepse z. Thaçi nuk e ka shumicën dhe vazhdon ta qeverisë vendin me 44 vota në parlament, kuptohet vazhdon të keqqeverisë”, tha Ramush Haradinaj.

Në një skenar normal të zhvillimeve politike paszgjedhore, Haradinaj tani do të duhej të ishte duke drejtuar qeverinë e përbërë nga LDK, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA.

Por shtyrja e seancën konstituive e ka bërë të paqartë fatin e marrëveshjes së këtij blloku.

“60 deputetë kanë bërë kërkesë për thirrje të seancës por Brovina nuk iu ka përgjigjur asaj”, tha Haradinaj.

I pyetur se a do të shkojnë në seancë të enjten, ai tha se është e mundshme që PDK nuk vjen në seancë, ndërsa mosthirrjen e seancës nga Flora Brovina e ka cilësuar si “të padrejtë”.

“Në seancën e së enjtes do të shkojmë në bazë të rendit të ditës që është zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit”, tha ai.

Aktualisht në takim me Presidenten Jahjaga është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari i saj, Visar Ymeri.

14:03

Thaçi Kërkon Bisedime Ndërpartiake Për të Gjetur Zgjidhje

Pas takimit te Presidentja, kryeministri në detyrë Hashim Thaçi u bëri thirrje partive politike për të biseduar mes vete në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për ngërçin politik.

“Ishte një takim i radhës te presidentja në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për ngërçin politik. Qëndrimi i PDK-së mbetet i qartë- zgjidhja në kuadër të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Thaçi.

I pyetur nga gazetarët se a do t’u përgjigjet përpjekjeve të bllokut për thirrjen e seancës konstituive, Thaçi u përgjigj se PDK-ja do ta respektojë ligjin.

“Çdo thirrje që është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës do t’i përgjigjemi, ndërsa iniciativat e tjera janë jozyrtare dhe jolegale dhe nuk kanë asnjë validitet”, u shpreh ai.

Pas takimit me Thaçin, në takim me Presidenten Jahjaga ka hyrë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

13:07

Presidentja Fillon Konsultimet me Liderët 

Aktualisht Presidentja është në takim me kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi dhe nënkryetarët Kadri Veseli e Hajredin Kuçi.