Regjistrimi në Mensë Nën Kontroll Policor

Turma e madhe e studentëve të cilët ishin mbledhur që në orët e hershme tëmëngjesit për t’u regjistruar në mensë, ka shkaktuar edhe thyerjen e derës së sallës “1 Tetori”. 

Nga kjo situatë e krijuar ishte dashur të ndërhynte edhe Policia e Kosovës për të vendosur rend. 

Mbi 800 studentë të cilët nuk janë banorë të konvikteve, ishin mbledhur për regjistrim në mensë në ditën e dytë të konkursit. 

Sipas drejtorit të Qendrës së Studentëve Fitim Sfishta, ka qenë një fluks i tillë, pasi studentët kishin marrë dezinformatën se do të pranohen në mensë një numër i kufizuar nga ta.

“Një dezinformatë në mesin e tyre ka dalë se do të jetë numri i kufizuar i studentëve të cilët do të pranohen në mensë për këtë vit. Ajo dezinformatë i ka nxitë ata që të kenë panik dhe kjo është zgjedh tashmë”, ka thënë Sfishta. 

Ai ka konfirmuar edhe ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, pasi është thyer një xham i derës së sallës “1 Tetori”, por ka deklaruar se kjo nuk është bërë qëllimisht. 

“Ka qenë policia, sepse turma t’u u shty mes vete ka thy një xham (dhe ai xham) nuk është thy me qëllim”, ka thënë Sfishta. 

Jeton Osmanaj, një student që kishte ardhur në orën tre të mëngjesit për t’u regjistruar në mensë, e që kishte qenë aty në momentin e thyerjes së derës, thotë se ky veprim nga studentët nuk është bërë qëllimisht.

“Ka pasë shumë shtyrje mes studentëve dhe në një moment edhe u thy xhami i derës, por jo qëllimisht pasi vetë kam qenë aty”, ka thënë Osmanaj. 

Ai thotë se ka dëgjuar nga studentët që është numri i kufizuar për regjistrim në mensë. 

“Po thojnë që është i kufizuar”, thotë ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës nëpërmjet zëdhënëses Florie Ahmeti.

Ajo i ka thënë gazetës se nuk bëhet fjalë për intervenim, por policia kishte shkuar në sallë vetëm sa për të monitoruar për shkak të numrit të madh të studentëve. 

“Nuk ka pasur nevojë për intervenim, pasi as nuk kemi pasë një kërkesë të tillë. Situata ka qenë në rregull, por numri i madh i studentëve dhe shtyrjet ka bërë që të thyhet xhami”, ka thënëAhmeti. 

Në anën tjetër drejtorit i Qendrës së Studentëve i ka siguruar studentët se për këtë vit do të pranohen në mensë aq sa do të konkurrojnë.

“Qendra e Studentëve ka kapacitet për të gjithë, vetëm duhet të jenë studentë të rregullt”, ka thënë Sfishta. 

Po deklaratat e tij i ka demantuar drejtori i mensës, Fahri Osmani. 

Ai ka thënë se për këtë vit nga studentë që nuk janë banues të konvikteve do të pranohen vetëm 1500.

“Prej atyre që nuk janë banues të konvikteve parashihet të pranohen 1500 studentë.  Ne nuk kemi kapacitete si mensë për të pranuar një numër kaq të madh të studentëve”, ka thënë Osmani. 

Fluksi i madh istudentëve për t’u pranuar këtë vit në konvikte ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që pagesa për ushqim në mensë për një muaj të jetë 15 euro, e jo 30 sa ishte më parë. 

Për këtë vit është paraparë që të pranohen në mensë 5000 studentë, 3500 prej të cilëve janë banorë të rregullt të konvikteve, ndërsa 1500 që banojnë jashtë tyre.