Jahjaga Premton: Kosova Do të Jetë Rrëfim Suksesi

Këtë zotim, e para e shtetit e ka bërë në ceremoninë e pranimit të Çmimit “Clinton Global Initiative” në Nju Jork.

“Si Presidente unë jam shumë krenare që jam pjesë e kësaj përpjekjeje dhe që u shërbej qytetarëve dhe vendit tim”, tha presidentja Jahjaga pasi mori këtë çmim nga ish-sekretarja Amerikane e Shtetit gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Madeleine Albright.

“Kosova – ajo Kosovë të cilën ju e çliruat dhe rindërtimin e të cilës e ndihmuat – do të vazhdojë të jetë një rrëfim i madh shprese”, u shpreh ajo.

“Clinton Global Initiative”, e themeluar nga ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, nderon individët e dalluar në shoqërinë civile, filantropi, sektorin publik dhe privat të cilët kanë shembëllyer qytetarinë përmes vizionit, lidershipit dhe ndikimit të tyre duke adresuar sfidat globale.

Krahas Jahjagës, në këtë ceremoni janë nderuar edhe bashkëthemeluesit e Koalicionit të Punëtorëve Immokalee, Greg Asbed dhe Lucas Benitez; aktori Leonardo Di Caprio, Irwin Jacobs, Hayat Sindi.

“E konsideroj këtë nder, këtë çmim të veçantë shpërblim për njerëzit e Kosovës, jetërat e të cilëve ju i keni prekur dhe ndryshuar përjetë përmes vendimit tuaj që të parandaloni gjenocidin në Kosovë dhe duke na qëndruar pranë që atëherë për të na ndihmuar ta ndërtojmë shtetin tonë në paqe, të lirë, demokratik”, tha Jahjaga.

Ajo foli edhe për rrugën e Kosovës drejt ringritjes nga shkatërrimi të cilin e përjetoi në luftën e viteve 1998-1999.

“Para pesëmbëdhjetë vjetësh, Kosova ishte vend i mbuluar nga gërmadhat. Jetërat ishin thyer në mijëra copë. Familjet ishin ndarë. Shumë prej tyre përjetësisht. Lidhjet mes komuniteteve etnike ishin shkatërruar plotësisht”.

“Por nga hiri dhe nga ato momente dhembjeje, një vendosmëri, një vullnet i pashoq – dhe jo dëshpërim – u shfaq. Ne ishim të vendosur të ecnim tutje, të ndërtojmë një Kosovë tjetër”, u shpreh Jahjaga.