Një Papë Midis Shqiptarëve

Një vizitor jo i zakontë i ka ardhur Shqipërisë dhe njerëzit kanë lënë anash planet tjera për të dalë në këtë shesh që ta presin, shohin, e pse jo, t’ia prekin dorën papës Françesk.

Ai zbriti në orën 9:00 në aeroportin që mban emrin e njëjtë me sheshin në të cilin po i bëhet pritja dhe në të cilin ai do ta mbajë një meshë publike.

Menjëherë pasi zbriti në tokën e Shqipërisë, papa Françesku u prit nga kryeministri Edi Rama, anëtarë të Qeverise e drejtues të Kishës Katolike, si dhe takoi  dy fëmijë, një nga jugu dhe një nga veriu i vendit, një përshëndetje simbolike për Atin e Shenjtë.

Ne ambientet e sallës VIP të aeroportit u zhvillua edhe ceremonia zyrtare, ku kryeministri Edi Rama i dhuroi Papës, kupën e dheut, një dhuratë simbolike dhe shumë domethënëse.

Ndërsa brenda në Tiranë, emrat dhe fotografitë e 40 priftërinjve viktima të periudhës së komunizmit janë varur kudo nëpër këtë shesh, ndërsa poshtë tyre, qytetarët po valëvisin flamuj të Shqipërisë, Vatikanit, Kosovës dhe shteteve tjera.

Pak para orës 10, eskorta e Papës ka hyrë në Preidencën e Shqipërisë për t’u takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bujar Nishani.

Pas intonimit të himneve të Vatikanit dhe Shqipërisë, Papa dhe Nishani janë drejtuar në ambientet e Presdiencës ku Ati i Shenjtë ka nënshkruar deklaratën në Librin e Nderit.

“Ne shqiptarët jemi një popull i vjetër me një vetëdije kombëtare, kemi nëj gjuhë përbashkuese… Ngrehinën tonë shpirtërore e përbëjnë krishterimi dhe islamizmi… të cilat dinë veç të dialogojnë”, tha presidenti Nishani në fjalimin e tij.

“Komunizmi tentoi ta krijojë njeriun e ri, pa Zot, pa kler… Ishte një sfidë të cilën shqiptarët e përballuan të gjithë së bashku, si besimtarë”, tha Nishani.

“Fjalët e fundit të shumë të pushkatuarve ishin “Rroftë Shqipëria! Rroftë Papa”, tha Nishani.

Ndërsa papa Françesk nga ambientet e Presidencës tha se e vlerëson traditën e bashkëjetesës fetare ndërmjet shqiptarëve

“Shqipëria kanë një veçori që karakterizohet nga respektimi i komuniteteve të ndryshme”, tha Papa duke shtuar se një vlerë e tillë duhet të ruhet dhe të rritet çdo ditë.

“Respektimi i të drejtave njerëzore janë aspekte të rëndësishme për zhvillimin njerëzor”, u shpreh ai.

“Askush nuk mund ta përdorë Zotin për t’i legjitimuar aktet e dhunës”, tha ai.

Pasi përfunduan fjalimet në Presidencë, Papa hypi në automjetin e zbuluar me të cilin bëri një xhiro nëpër rrugën dhe sheshet kryesore të Tiranës për t’i përshëndetur mijëra qytetarët që kishin dalë për ta pritur.

Në disa raste ai ka thyer protokolin, duke ndalur dhe përshëndetur fëmijët të cilët mbaheshin në krah nga prindërit e tyre.

Në fund të shetitjes, atij i është dorëzuar titulli “Qytetar Nderi” i Tiranës nga kryetari i bashkisë, Lulzim Basha.

Kjo është hera e dytë që një Papë viziton Shqipërinë, pas vizitës që Papa Gjon Pali II i bëri vendit në vitin 1993, pak kohë pasi Shqipëria hoqi qafe periudhën e komunizmit e cila për dekada të tëra kishte ndaluar praktikimin e fesë në vend dhe kishte burgosur e pushkatuar shumë prijës fetarë.