Ja Për Çka Akuzohet Nazim Bllaca Në Aktakuzën e Re

Nazim Bllaca ishte dashur që për këtë aktakuzë të paraqitet para Gjykatës Themelore në Ferizaj me datë 16 shtator, por për shkak se Gjykata nuk ka qenë e njoftuar se Bllaca ndodhej në vuajtje të dënimit në Dubravë, ftesat i ishin dërguar në shtëpinë e tij deri në momentin kur Gjykata e ka kuptuar se ai ndodhej në Dubravë.

Sipas aktakuzës, Bllaca dyshohet se në vitin 2007 ka vënë në lajthim organin kompetent për vërtetimin e kontratave në Gjykatën Komunale në Ferizaj, duke prezantuar dokumente publike të falsifikuara, më konkretisht autorizime, gjoja të vërtetuara në Gjykatën Komunale në Lipjan, dhe më pas me anë të këyre autorizimeve ka legalizuar një kontratë të shitblerjes në maj të vitit 2007.

Me këto veprime sipas aktauzës Bllaca ka kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavertetë.

Nazim Bllaca i cili ka statusin e dëshmitarit të prokurorisë, është vetëshpallur agjent i ShIK-ut dhe në vitin 2009 kishte dalë në publik për të rrëfyer për shumë krime të pasluftës. Si pasojë e dëshmive që Nazim Bllaca ka dhënë, deri më tani janë mbajtur tri gjykime penale. Në gjykimin e fundit ai vetë ka qenë i akuzuar dhe është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit.