PDK: Nuk Ka Kompromis Me Kandidatin Për Kryeparlamentar

“Gjykata Kushtetuese ia ka dhanë të drejtën Partisë Demokratike të Kosovës, të drejtën e patjetërsueshme dhe ekskluzive për ta nominuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kushdo që e thërret PDK-në për të hequr dorë prej kësaj të drejtë, e thërret për të shkelur Kushtetutën”, tha Krasniqi.

Sipas tij, qasja e bllokuese e bllokut të partive tjera LDK, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA është e papranueshme dhe së bllokimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është në kundërshtim me interesin e qytetarëve të Kosovës, po edhe shkon në dëm të stabilitetit institucional të vendit.

Ai shtoi se lidershipi i PDK-së ka mbajtur takim me kryetarët e Degëve të partisë, si dhe takim me Grupin Parlamentar dhe, sipas tij, në të dy këto takime i është dhënë mbështetje e plotë Kryesisë së PDK-së në angazhimet e saj konstruktive për tejkalimin e ngërçit politik dhe për themelimin e institucioneve shtetërore.

“PDK mbetet e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë për të mirën e vendit dhe për themelimin e shpejtë të institucioneve shtetërore, por gjithmonë në pajtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën e vendit”, tha Krasniqi.

I pyetur se a është e gatshme PDK-ja për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të ngërçit politik, Krasniqi tha se PDK-ja nuk ka për qëllim që të qoj vendin në zgjedhje, por në asnjë rast i frikohet atyre.

“Nuk ka nevojë në këtë moment për të shkuar në zgjedhje deri sa është e mundshme me gjetë zgjedhje brenda Kushtetutës, por nëse shteren të gjitha mundësit dhe shkohet në zgjedhje gjë që mendoj se nuk duhej të ishte opsioni i parë, atëherë normalisht si parti serioze, ne jemi të gatshëm për me u mbajtë zgjedhjet edhe këtë të diele”, shtoi Krasniqi.