Edita Tahiri: Serbia e Njeh Kosovën në Fushën Energjetike

Kjo marrëveshje u arrit i si rezultat i bisedimeve katër vjeçare me Serbinë. Në këtë marrëveshje shuhen operatorët ilegalë në Komunat e banuara me serbë.

Kështu u tha gjatë konferencës së mbajtur për media nga Kryenegociatorja e bisedimeve teknike Kosovë Serbi, Edita Tahiri, dhe drejtori i KOST-it Naim Bejtullahu i cili është udhëheqës i këtij  grupi në bisedimet Kosovë- Serbi.

“Rëndësia e saj përveç bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë për neve ka edhe një rëndësi edhe më të madhe sepse me këtë marrëveshje shuhen të gjithë operatorët ilegal që kanë vepruar në anën veriore të vendit tonë”, u shpreh Tahiri.

Ajo tha se Serbia duke e kompletuar këtë proces “po e njeh Kosovën në fushën e energjisë” pasi që, sipas saj, nga sot Kosova dhe Serbia kanë bashkëpunim zyrtar ndërshtetëror.

Ndërsa Naim Bejtullahu drejtor në KOST tha se janë dy kategori të problemeve në këtë fushë. E para është çështja e transmisionit dhe e dyta çështja e furnizimit dhe shpërndarjes.

Problemet e transmisionit janë të theksuara mirë në marrëveshjen për interkonjeksion e cila definon qartë se cilat janë obligimet e të dyja palëve.

“Marrëveshja e lejon qasjen në Veri në procesin edhe të transmisionit edhe të distribucionittë cilat pastaj krijojnë mundësi të operimit normal edhe në atë pjesë të vendit”, u shpreh ai.

Bejtullahu tha se në tetor apo nëntor përfundon cikli i të gjitha çështjeve të hapura lidhur me energjinë dhe mbetet vetëm pjesa e implementimit. Por ai theksoi se implementimi i kësaj marrëveshje kërkon kohë.

Ai po ashtu tha se pas kësaj marrëveshje Kosova do të hyjë menjëherë në negociata për transmisionin edhe me shtetet fqinje si me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Plani për energji Kosovë- Serbi është nënshkruar një vit më parë, më 8 shtator 2013, nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.