Presidentja Përfundon Konsultimet me Liderët
Pas përfundimit të takimit mes VLAN-it dhe presidentes Atifete Jahjaga, kreu i LDK-së Isa Mustafa tha se presidentes ia pasqyruan situatën se blloku ka shumicën në Kuvend dhe përkrahjen e deputetëve joshumicë.
“Kjo është një shumicë e qëndrueshme e cila ofron zgjidhje për konstituimin e menjëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha Mustafa.
Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se pas dështimit të sotëm nga PDK-ja, presin ndërhyrjen e presidentes Jahjaga.
“Ne e shfrytëzuam këtë mundësi për të konstatuar dështimin që ndodhi sot nga subjekti politik që ka qenë i mandatuar për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës”, pohoi Haradinaj.
16:17
Liderët e Bllokut opozitar LDK-AAK-LVV dhe NISMA- sapo kanë hyrë në takim me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ky takim vjen pas mbajtjes së seancës për konstituimin e Kuvendin e cila seancë është shtyrë për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të parlamentit.
Gjatë ditës presidentja Jahjaga është takuar edhe me liderin e PDK-së, Hashim Thaçin dhe liderin e Partisë Demokratike Turke e Kosovës, Mahir Jagxhilar.
16:10
Pas takimit me presidenten Jahjaga, kreu i PDK-së nuk ka folur për media. Në vend të tij është përgjigjur nënkryetari i kësaj partie Hajredin Kuçi.
“Tani jemi veç në fazat fillestare ku secili do ta japë mendimin e vet, pastaj është faza tjetër ku secili duhet të bëjë kompromiset e veta”, tha Kuçi.
I dyti i PDK-së, shtoi se ky subjekt do të jenë pjesë aktive dhe konstruktive për t’i ndërtuar institucionet mbi bazën e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës së 8 qershorit dhe mbi bazën e Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
14:45
Presidentja është duke mbajtur takime të veçanta me liderët e partive politike. Të parët që kanë hyrë në takim me Jahjagën janë përfaqësuesit e PDK-së, të udhëhequr nga Hashim Thaçi.
Pas tyre në zyrën e Presidentes ka hyrë Aleksanbdar Jabllanoviq nga Lista Serbe.
14:12
Presidentja Fillon Konsultimet me Liderët
Takimi te Presidentja Jahjaga erdhi vetëm pak orë pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për herë të dytë që ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit.
Takimin e konfirmoi për KALLXO.com, Arbër Vllahiu, këshilltar i Presidentes Jahjaga.
Në një votim të hapur në seancën e sotme, kandidati i PDK-së për këtë post, Arsim Bajrami, mori vetëm 44 vota deputetësh, ndërsa 61 prej tyre votuan kundër e 11 të tjerë abstenuan.
Menjëherë pas dështimit për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ambasadori i Britanisë së madhe ën Kosovë, Ian Cliff, i kishte bërë thirrje Presidentes Jahjaga që të ndërhyjë në përpjekje për të gjetur zgjidhje.
Deri më tani, Presidentja ka qëndruar e heshtur ndaj bllokadës institucionale.