Reagimet e Deputetëve dhe Personaliteteve Tjera pas Seancës

11:34

Blloku: E Kemi Shumicën-Nuk Rrimë Duarkryq

Blloku LVAN në një konferencë për gazetarë pasi në seancën konstituive nuk u zgjodh kryeparlamentari tha se i ka numrat dhe nuk do të rrijë duarkryq.

Mustafa shtoi se shumicën për formimin e institucioneve e ka blloku LDK-AAK-Nisma me “Vetëvendosjen”.

“Po ashtu u vërtetua se te ne nuk funksionon sistemi i shitblerjes së deputetëve”, deklaroi Mustafa.

Mustafa tregoi se do të kërkojnë debat dhe rrugë tjera që do të jenë në pajtim me kushtetutën për zgjidhjen e ngërçit.

Edhe Albin Kurti konstatoi dështimin e PDK-së.

“Koalicioni pas seancës konstaton dështimin e PDK-së për ta konstituuar Kuvendin. Sot 61 deputetë ishin kundër PDK-së”, tha Kurti.

Ai mbylljen e seancës e cilësoi të padrejtë.

Në konferencë foli edhe Ramush Haradinaj, i nominuari i këtij koalicioni për kryeministër.

 

“Koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe VV do të vërtetojmë se nuk do të rrimë duarkryq”, tha Haradinaj.

11:03

Jabllanoviq: Nuk Jemi Aty Ku Është VV-ja

Deputeti i Listës Serbe Aleksandar Jabllanoviq tha edhe njëherë se ky subjekt nuk do të jetë aty ku është “Vetëvendosja”.

“Gjithnjë kur është “Vetëvendosja” aty, ne nuk do ta përkrahim, sepse ata janë kundër Marrëveshjes se Brukselit”, sqaroi Jabllanoviq para gazetarëve.

Ai tregoi se deputetët e Listës abstenuan me rastin e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Shtoi se njëjtë subjekti i përkrahur nga Beogradi do të bëjë edhe kur të vijë puna e votimit të ekzekutivit.

10:58

Fatmir Sejdiu Kërkon “Dinamizëm të Ri”

Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i pranishëm në seancën e ndërprerë të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar një “dinamizëm të ri” për të dalë nga bllokada institucionale.

“Kosova ka nevojë për një dinamizëm të ri që ta kapërcejë këtë situatë”, tha Sejdiu para gazetarëve.

10:48

Cliff: Nuk Do Të Ketë Ndërhyrje të Ndërkombëtarëve

Ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ian Cliff përjashtoi ndonjë mundësi që diplomatët ndërkombëtarë të ndërhyjnë në zgjidhjen e bllokadës politike.

Cliff pati një koment shumë të shkurtër sot, pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë ndërhyrje ndërkombëtare”, u shpreh ambasadori Cliff.

10:41

Vjosa Osmani: Seanca u Ndërpre Në Kundërshtim me Rregulloren

Deputetja nga grupi LDK-AAK-NISMA, Vjosa Osmani, tha se seanca e sotme është ndërprerë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Ajo tha se dështimi i kandidaturës së PDK-së ka qenë gjë e pritur.

“Ashtu siç është pritur, u dëshmua edhe sot që PDK nuk i ka votat. Ata nuk i morën votat ndërsa kryesuesja e PDK-së e mbylli seancën në kundërshtim. I bëjmë thirrje kryesueses që sa më shpejt ta thërrasë vazhdimin e seancës”, tha Vjosa Osmani.

10:32

Edita Tahiri Mbron vendimin e Flora Brovinës

Deputetja e PDK-së, Edita Tahiri, tha pas seancës se kryesuesja e kësaj seance, Flora Brovina, nuk ka bërë shkelje ligjore kur e ndërpreu atë, pas dështimit të kandidaturës së PDK-së Arsim Bajrami, që të votohet në postin e kryetarit të Kuvendit.

“Nuk ka bërë shkelje ligjore me mbylljen e seancës pasi që kjo e drejtë i takonPDK-së me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Derisa ka kohe për marrëveshje politike për krijimin e institucioneve nuk ka rrezik për zgjedhje, por momentin kur shterret kjo çështje normalisht rreziku për zgjedhje ekziston”, tha Edita Tahiri.