Dështon Kandidatura e PDK-së, Ndërpritet Seanca
10:21
Pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, kryesuesja e seancës Flora Brovina ndërpreu seancën.
Ajo tha se deputetët do të njoftohen me shkrim për vazhdimin e seancës.
10:19
Me 44 vota për, 61 kundër dhe 11 abstenime, deputetët e Kuvendit nuk kanë arritur ta zgjedhë Arsim Bajramin në postin e kryeparlamentarit.
10:14
Kryesuesja e seancës, Flora Brovina, shpall të hapur vazhdimin e seancës konstiuive.
10:13
Ditë e Re Me Skenarë të Vjetër në Kuvend
Tashmë gjithçka duket gati për fillimin e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetët kanë zënë vendet e tyre në sallë, ndërsa kandidati I PDK-së për kryetar të Kuvendit, Arsim Bajrami, është ulur afër kryetarit të partisë së tij, Hashim Thaçi.
Por kryesuesja e seancës, Flora Brovina e PDK-së, ende nuk ka dalë në karrigen kryesore të Kuvendit.
Seanca konstituive e Kuvendit do të vazhdojë sot pas një ndërprerje dymuajshe, periudhë e cila është përshkruar me ngërç politik, bllokadë institucionale dhe forcim të barrikadave politike ndërmjet blloqeve tashmë të diferencuara.
Seanca do të drejtohet përsëri nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e cila e ka marrë këtë detyrë duke qenë deputetja më e vjetër e kësaj legjislature.
PDK, si partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, në këtë seancë hyn me kandidaturën e nënkryetarit të saj, Arsim Bajrami, për postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa blloku LDK-AAK-NISMA, i mbështetur edhe nga Vetëvendosje, ka kandiduar Isa Mustafën.
Ndërkohë, grupi parlamentar i Listës Serbe, dje ka marrë vendim që të mos e mbështesë kandidaturën e Isa Mustafën për shkak të marrëveshjes që LDK-AAK-NISMA ka bërë me Vetëvendosjen. Lista serbe kundërshton faktin që, në bazë të marrëveshjes së bllokut me Vetëvendosjen, kësaj të fundit i është lënë ta drejtojë dialogun me Serbinë.